E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti ’97, Berisha: Mund të kisha qëndruar në pushtet, por s’ma lejoi morali

Kreu i ekzekutivit tha se do t’u kishte kthyer shqiptarëve çdo qindarkë të parave të humbura nga firmat piramidale, në rast se do t’ua premtonte një gjë të tillë.

TIRANË- Edhe pse u shpreh se ishte një politikan që nuk merrej shumë me eksperiencën e kaluar, me argumentin se të ikën e ardhmja, Kryeministri Sali Berisha dje bëri të kundërtën. Në konferencën për shtyp, pas analizës njëvjetore të qeverisjes së tij, kreu i ekzekutivit tha se po të donte ai mund të kishte qëndruar në pushtet në vitin e mbrapshtë të 97’-tës. “Kam bërë me qindra kompromise gjatë jetës. Në momentin më kritik të jetës sime, unë për një parim kam zgjedhur greminën për veten time, por kam mbajtur parimin. Çështja e fajdeve. Opozita ia doli të bindë shqiptarët se qeveria kishte marrë paratë. Por qeveria s’kishte prekur asnjë para. Përgjegjësia e qeverisë ishte se i toleroi fajdet... Dy vetë ishin. Unë kryeministër, rivali im doli nga burgu në krye të partisë. Unë kisha të gjitha mundësitë dhe levat që t’u thosha shqiptarëve se do t’u paguaj çdo qindarkë. I kisha. Kisha edhe mekanizmat, por nuk kisha moralin. Sigurisht mund t’i paguaja, por do ua merrja atyre që nuk kishin futur një qindarkë në fajde dhe kjo nuk kishte moral. Të merrja para të bardha dhe t’i fusja në vrima të zeza. Kjo nuk kishte moral. Dhe unë deklarova se një borxh, që nuk është marrë nuk njihet kurrë”, - tha Kryeministri. Berisha iu referua premtimit të socialistëve. “Rivali im deklaroi se do t’ju paguajë çdo qindarkë. Po të kisha premtuar do të kisha paguar çdo qindarkë. Të jesh i sigurt. Por bëra të kundërtën. Ika nga pushteti. Dy gjëra kam pasur më sublimet në jetë; vota dhe fjala e lirë. Kaq. As karrierë. Asgjë. Kam qenë kalorës në fushën time i apasionuar në një shkallë shumë të madhe me të, por këto mungonin... Ndaj dhe po të kisha vepruar, po të mos kisha mbajtur atë moral, mund të kisha qëndruar edhe në pushtet atë periudhë, por një mijë herë falënderoj zotin që më ndihmoi për të marrë atë vendim të drejtë që mora”, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›