Berisha: Hiqni syzet e kuqe, ska krizë ekonomike
Kryeministri Sali Berisha iu kundërpërgjigj dje kritikave të opozitës për krizë ekonomike, duke e përjashtuar këtë fakt përmes argumenteve dhe fakteve konkrete. Sipas kreut të qeverisë, që nga viti '90, kur Shqipëria ishte e fundit për nga niveli ekonomik, falë reformave të ndërmarra, tashmë është ndër vendet e para në kontinent në këtë drejtim. "Jo rrallë ju takon të dëgjoni kallogjerët e krizës dhe të zisë se jemi të fundit në rajon. Hiqni syzet e kuqe dhe shihni Shqipërinë. Nuk them se është parajsë, se është shumë larg, nuk them se ska varfëri, se varfëri ka, nuk them se ska papunësi, se papunësi ka. Por ka ritme zhvillimi më të larta se çdo vend tjetër, ka shpresë dhe optimizëm më të madh se në çdo vend tjetër", - theksoi z. Berisha. Këto deklarata ai i bëri ndërsa përuroi shkollën 9-vjeçare "Isa Domi" të fshatit Pjezë në Durrës. Ai shtoi më tej se pas pak muajsh shqiptarët do të lëvizin përfundimisht pa viza në BE. "Shumë shpejt, në muajt që vijnë, për qytetarët e vendit më të izoluar të botës, për qytetarët e vendit që 20 vite më parë ishte i rrethuar me tela me gjemba nga të katër anët e kufirit, do hiqen vizat, do lëvizin të lirë në mbarë Evropën", - tha z. Berisha.