Shkolla Isa Domi, Berisha përuron 330 milionë lekë
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e përurimit të shkollës 9-vjeçare Isa Domi në fshatin Pjezë, komuna Xhafzotaj. Shkolla, me vlerë 330 milionë lekë, është ndërtuar me fonde të buxhetit të shtetit. Duke parë më nga afër mjediset e kësaj shkolle, Kryeministri Berisha u ndal fillimisht në një klasë të arsimit parashkollor. Kryeministri u shpreh se është shumë e rëndësishme që në çdo shkollë të ketë edhe kopshte, në mënyrë që nxënësit të fillojnë të marrin dijet parashkollore në mënyrën më të organizuar. Këtë mandat, - u shpreh Kryeministri, - kemi synim të ngremë kopshte kudo që mundemi, brenda apo pranë shkollave, në mënyrë që ti japim një rëndësi të madhe arsimit parashkollor. Kryeministri Berisha vizitoi kabinetin e Informatikës dhe një klasë ku po zhvillohej mësimi i lëndës së Fizikës. Në vazhdim, Kryeministri Berisha mbolli një rrënjë ulliri në lulishten e kësaj shkolle. Në këtë veprimtari, Kryeministri Berisha u shoqërohej nga ministri i Arsimit, z. Myqerem Tafaj, deputetë, drejtues të pushtetit lokal etj.