E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Historia ka qenë si një njerkë e ashpër me ne, por tani jemi të lirë

Share

-Fjalimet me copy- paste të Berishës në çdo aktivitet ku shkon

Kryeministri Berisha priti 45 konsujt e Nderit të Republikës së Shqipërisë nëpër botë, që erdhën në Shqipëri për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Pavarësisë. Duke folur përpara tyre, Berisha tha se historia nuk ka qenë në anën tonë, por tani jemi të lirë.

Historia ndaj nesh ka qenë si një njerkë e ashpër, nuk ka qenë në anën tonë. Por ne qëndruam në të drejtat tona dhe tani jemi të lirë, kudo që jemi. Jemi të lirë në Shqipëri, jemi të lirë në Kosovë, jemi të lirë në Maqedoni, jemi të lirë në Mal të Zi. Ne shikojmë drejt të ardhmes së përbashkët në Europë. Sot hyjmë në njëqindvjeçarin e shpalljes së pavarësisë sonë. Kjo është një ditë e madhe, një vit i madh, një njëqindvjeçar i madh, tha Berisha.

Fjalimi që ka mbajtur Berisha para tyre tashmë është i njëjti që thotë ngado që shkon, nuk ka rëndësi në është në OKB, në Norvegji, në Labinot apo në Shtëpinë e Fëmijëve Zyber Hallulli.

Fillimisht deklaron se ka rritur të ardhurat për frymë nga 204 dollarë në 8000 dollarë në vit. Më pas thotë se ka trefishuar eksportet gjatë periudhës 2006-2011. Shton se janë trefishuar edhe investimet e huaja direkte. Deklaron se jemi ndër 10 vendet me qeverinë më të vogël në botë dhe se është adhurues i Reganit. Thotë se jemi si Zvicër me det për turizmin e shprehet se kanë ardhur 3 milionë turistë në vit. Më pas thotë se jemi si Norvegji për ujërat e sërish këmbëngul se do jemi superfuqi energjetike, por kësaj radhe për energjinë e rinovueshme. Në fund, qershia mbi tortë, thotë se ka bërë 9 mijë kilometra rrugë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›