Berisha: Ina Rama, hetim diktatorial mbi Durrës-Kukës
Kryeministri Sali Berisha
Kryeministri Sali Berisha akuzon kryeprokuroren Ina Rama për hetim me forma diktatoriale të rrugës kombëtare Durrës-Kukës, se nuk po fakton dot fajësinë e Gërdecit dhe se ende nuk ka lëvizur 300 dosjet e krimit të ish-pushtetarëve të majtë. Kryeministri, mbrëmë në emisionin “Opinion” bashkë me Kryeministrin e Kosovës, tregoi arsyet e përplasjes me kreun e akuzës, Ina Rama, e cila sipas tij, për fat të keq, po mban të njëjtat qëndrime si paraardhësit e saj, në raport me krimin dhe korrupsionin. “Problemi i vetëm, - evidentoi Berisha, - është simbioza e saj me krimin dhe sulmet në mënyrë politike që po u bën dy dosjeve të vitit 2008, asaj të Gërdecit dhe rrugës kombëtare Durrës-Kukës”. Berisha bëri publik faktin se znj. Rama ia kishin servirur, ndaj dhe e pranoi si kryeprokurore, por gjithnjë me besimin se ajo do të përballej me krimin. “Ma servirën dhe e pranova, e pranova me qëllimin e mirë që të përballet me krimin. Por nuk po ndodh kjo. Janë mbi 300 dosje të krimit dhe korrupsionit që nga qeverisja e mëparshme të palëvizura. Jam mirënjohës për lëvizjen e dosjeve të qeveritarëve të krahut tim, por e njëjta gjë duhej bërë edhe me ato të parat. Ndaj, nuk mund të bëj paqe me krimin dhe korrupsionin”, - tha z. Berisha. Kreu i qeverisë, Berisha, vuri në dukje se prokuroria nuk po fakton dot fajësinë e Gërdecit dhe se procesin hetimor ndaj projektit madhështor, Durrës-Kukës, e ka kthyer në një çështje tërësisht politike. Madje, me praktika të ngjashme si ato të diktaturës komuniste, duke i kujtuar se as Kushtetuta e vendit nuk njeh fajësinë kolektive. “Në gjuhën tonë amtare, i pandehur do të thotë i pafajshëm, ndaj dhe nëse zbërthen termin i pandehur, kjo nënkupton zero fajësi. Nëse gjen zyrtarë të marrë të pandehur, kjo dëshmon se kjo qeveri funksionon më tutje, nëse shkojmë e shohim se merren në gjykim akte kolektive, kjo përbën turpin e kohëve”, - tha z. Berisha. Duke përmendur parimin e së drejtës, Kryeministri vuri në dukje se rruga Durrës-Kukës është e tëra në kontekstin e armiqësisë ndaj projektit dhe se kaq e verbër është kjo, saqë shtyn në aktin kolektiv. Berisha shtoi: “Ajo që s’mund të ndodhë, është akti kolektiv, as diktaturat s’e kanë bërë”. Berisha iu referua praktikave famëkeqe të diktatorit Enver Hoxha për të ilustruar hetimin që po bën aktualisht institucioni i prokurorisë ndaj një vepre kombëtare siç është Durrës-Kukës.
“Enveri vërtetë internonte fëmijën për të atin, si dënim kolektiv, por jo mbi bazën e një procedure të përcaktuar mbi ligje. Është mirëfilltas verbëri armiqësore ndaj rrugës, e cila ka pas prej vitesh armiqësi të shumta. Jo më akte kolektive. Faji është individual. Edhe Kushtetuta njeh përgjegjësi individuale”, - deklaroi z. Sali Berisha. Kryeministri i pyetur edhe për rastin e Gërdecit, të cilin e cilësoi si një ngjarje shumë të rëndë, i kujtoi prokurorisë se ndonëse kanë kaluar muaj të tërë nga shpërthimi, ende nuk po arrin të faktojë fajësinë e Gërdecit.
“Dhe kjo, - vijoi ai, - pavarësisht se qeveria që në momentet e para është shprehur e gatshme për të ndihmuar procesin e hetimit deri në zbardhjen e plotë. Për ata që kanë qenë kritikë dhe akuzues ndaj kësaj çështjeje, nuk kanë mundur të sigurojnë faktin më të vogël. Nëse prokuroria ka lënë gjë pa nxjerrë nga dosja përfshi dhe email-et private, do të kishit të drejtë, por prokuroria nuk ka qenë e aftë të japë fakte konkrete. Jo se nuk ka përgjegjësi, por mënyra si prokuroria e nisi hetimin, në mënyrë politike janë të paprecedenta”, - tha z. Berisha. Ai argumentoi se janë 35 dokumente nga 4 firma ushtarake, të cilat dëshmojnë qartë se nuk ke asnjë synim tjetër veçse të përmbysësh hetimin”. Kryeministri nuk hezitoi të thoshte qartë: “Madje rrezikojnë të dështojnë. Prokuroria nuk po fakton fajësinë e Gërdecit. Hetimi u ndërtua në atë mënyrë, për t’u përmbysur”.