Berisha: Inaugurojmë protestën përpara pallatit të krimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti sot një fjalim të ashpër para protestuesve, duke theksuar se opozita po inaguron aksionin e saj përpara “pallatit të krimit”, me referencë ndaj kryeministrisë.
Në fjalën e tij, Berisha përdori retorikë të ashpër, duke akuzuar qeverinë se ka zëvendësuar shtetin shqiptar me një “narko-shtet” dhe se ka kryer “krim njerëzor” ndaj shqiptarëve.
“Ky pallat ka brenda diktatorin, sulltanin dhe sulltaneshën, Edvinin dhe Belindën, që me vjedhjet dhe plaçkitjet e tyre kanë mbjellë skamje në këtë vend si në asnjë vend të kontinentit,” deklaroi Berisha.
Lideri i PD-së theksoi se çdo përpjekje e opozitës për zgjedhje dhe rrotacion të pushtetit është përballur me pengesa të fuqishme, siç i quajti ai, “tonelatat e eurove të drogës”; “ushtrinë terroriste të patronazhistëve”; “burimet financiare dhe njerëzore të gjithanshme të shtetit mafioz.”
Sipas Berishës, arsyeja e kësaj rezistence është se largimi i tyre nga pushteti paraqet një “tmerr për shkak të krimeve që kanë kryer.”
/rtsh.al/