“Buxheti 2026” në Komisionin e Ekonomisë, 108.8 mld lekë për shëndetësinë, rritje pagash për mjekët dhe investime për bujqësinë

Komisioni Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, nën drejtimin e Milva Ekonomi, vijoi të hënën shqyrtimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2026”, duke zhvilluar dëgjesa kyçe me Ministritë e Shëndetësisë dhe Bujqësisë.
Prioritetet në shëndetësi dhe mirëqenie sociale
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (MSHMS), Evis Sala, prezantoi buxhetin total prej rreth 108.8 miliardë lekë, që përbën 12.3% të buxhetit të shtetit. Këto fonde ndahen në 79.5 miliardë lekë për shëndetësinë dhe 29.3 miliardë lekë për mirëqenien sociale dhe ish të përndjekurit politikë.
Rritja e pagave
Buxheti 2026 do të mbështesë rritjen e pagave për rreth 4,600 mjekë e farmacistë dhe 14,200 teknikë të shkencave mjekësore dhe laborantë, duke përfshirë efektin financiar nga Janari 2026.
Barna anti-tumorale
Është parashikuar rimbursimi i të gjithë barnave anti-tumorale për pacientët që trajtohen në spitalin Onkologjik, me një shtesë buxhetore prej 1.5 miliardë lekë për barna.
Shërbime të reja spitalore ku për herë të parë do të financohen shërbimi i trombektomisë (300 pacientë në QSUNT); rikonstruksioni i gjirit (350 pacientë); transplanti i kornesë (50 pacientë).
Investimet në infrastrukturë
Buxheti parashikon 4.2 miliardë lekë investime, duke përfshirë ndërtimin e godinës së re të Spitalit Rajonal Korçë; rikonstruksionin e urgjencës në Spitalin Durrës; rikonstruksionin e godinave në spitalet e Tropojës dhe Mat, si dhe blerjen e pajisjeve me vlerë 1.1 miliardë lekë për periudhën 2026-2028.
Prioritetet në bujqësi dhe zhvillim rural
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi një fond prej 16.3 miliardë lekësh për sektorin e bujqësisë në vitin 2026, duke e cilësuar si hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm, rritjes së konkurrueshmërisë dhe përgatitjes për integrimin në BE.
Skema “faturo dhe përfito” dhe investimet
Ministri theksoi se skema e re fiskale do të ofrojë kompensim të TVSH-së në masën 10% për çdo fermer që regjistron shitjet me faturë.
Investimet në bujqësi
Janë parashikuar rritje të financimeve për infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit; sigurinë ushqimore (rritje me 79.5%); zhvillimin rural, me 7.7 miliardë lekë dedikuar modernizimit të fermave dhe nxitjes së agroturizmit.
Të dy ministrat iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve lidhur me zbatimin e skemave, largimin e mjekëve dhe mbështetjen për familjet me fëmijë autikë.
/rtsh.al/