Komisioni i Ligjeve miraton “Paketën Fiskale 2026”, mbështetje për bujqësinë dhe faljen e borxheve të vjetra

Paketa Fiskale e vitit 2026 mori dritën jeshile sot në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, i drejtuar nga Ulsi Manja.
Komisioni mori në shqyrtim dhe miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi, të tetë projektligjet e propozuara nga Ministria e Financave (MF).
Ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi para Komisionit se Paketa është një instrument zhvillimi që nuk parashikon rritje taksash, por synon thjeshtimin, transparencën dhe eficiencën e kuadrit fiskal.
Pikat kyçe të Paketës Fiskale 2026
Një nismë thelbësore është kompensimi i TVSH-së me 10% për sektorin e bujqësisë. Ky fond pritet të gjenerojë mbi 1.5 miliardë lekë përfitime për fermerët vetëm në vitin 2026, duke u rritur mbi 3 miliardë lekë në vitin 2027. Qëllimi është inkurajimi i prodhuesve bujqësorë dhe blegtoralë për të dokumentuar çdo transaksion.
“Paqja Fiskale” dhe falja e detyrimeve
Ministri sqaroi se dy projektligjet mbi “Paqen Fiskale” nuk përbëjnë amnisti dhe nuk falin përgjegjësi penale. Lidhur me faljen e borxheve, parashikohet fshirja plotësisht e çdo borxhi tatimor dhe doganor që është më i vjetër se 10 vjet, duke përjashtuar subjektet nën hetim.
„Paqja Fiskale“ parashikon një marrëveshje vullnetare që synon korrigjimin dhe rritjen e deklarimeve të rregullta të bizneseve, duke parashikuar përshkallëzim në ulje të normave tatimore për ata që përfshihen.
Paketa përmban gjithashtu masa për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme jashtë Tiranës; rregullime për tregtinë online; reduktimin e parasë cash dhe promovimin e transaksioneve elektronike.
Lehtësi tatimore për kërkimin shkencor, sportin, kulturën dhe për prindërit me fëmijë nën 18 vjeç.
Relatori Ermal Pacaj ftoi kolegët të miratojnë ligjet, duke vlerësuar rëndësinë e tyre për mirëadministrimin fiskal dhe rritjen e produktivitetit. Të tetë ligjet tashmë do të kalojnë për votim në Seancën Plenare.
/rtsh.al/