Berisha: Inaugurojmë të parën autostradën Shkodër-Milot-Tiranë

TIRANË, 18 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi sot se “autostrada e parë që do inaugurohet nga qeveria e ardhshme do jetë autostrada Shkodër-Milot-Tiranë”.
Në fjalën e tij gjatë prezantimit të kandidatëve të PD-së që garojnë në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Berisha tha se dy do jenë veprat e para të mëdha publike, autostrada Shkodër-Milot-Tiranë dhe bajpasi i Elbasanit.
“Shkodra do ketë investimet që meriton. Do ketë investimet që meriton në rrugën Shkodër-Muriqan. Urën Velipojë-Pulaj, PD e bën realitet. Investime të mëdha do bëhen në sistemime, kanalizime, ujësjellësa në të gjithë qarkun e Shkodrës”, vijoi Berisha.
“Shqipëria Madhështore është Shqipëria e hightech-ut, e inteligjencës artificiale, e dataqendrave, e kriptomonedhave. Faktikisht është Shqipëria e një gjenerate që ëndërron vendin e tyre të tillë. Por një gjë u them, në rast se në vitin 2005 kur erdhëm në pushtet dhe deklaruam se Shqipërinë do e sjellim në moshën dixhitale, qeshën me të madhe, opozita, por edhe mediat”, tha Berisha.
Kreu i PD-së theksoi se “mirëpo ne në atë kohë Shqipëria kishte një internet 4.9 % penetrimin dhe shumica e analizave ndërkombëtare nuk e llogarisnin fare, ne arritëm në 63 %. Ju jap fjalën se Shqipëria do jetë një epiqendër e rëndësishme e teknologjisë së lartë. Kanë filluar kontaktet me kompani të mëdha, të cilat do vijnë në Shqipëri dhe me të rinjtë shqiptarë do e bëjnë Shqipërinë epiqendër të teknologjisë së lartë në rajon dhe botë. Shqipëria do bëhet superfuqi energjetike në rajon”.
Berisha u shpreh se “në rast se në vitin 2007, e shpallëm superfuqi e vogël energjetike, tani themi jo, superfuqi energjetike në rajon. Shqipëria do shumëfishojë prodhimin e energjisë nga dielli, era, uji dhe gazi. Nga Vermoshi në Konispol, çdo qytetar që dëshiron, do t’i vendosen panelet fotovoltaike dhe për tre vite do paguajë qiranë, pas tre vitesh do i gëzojë për gjithë jetën”.
/k.s/j.p/