E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Integrimi i Shqipërisë në BE, duhet të jetë fund e krye i bazuar në meritën Kryeministri Berisha gjatë konferencës "Mbështetja italiane për integrimin e Shqipërisë në BE"

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në konferencën “Mbështetja italiane për integrimin e Shqipërisë në BE”. Në këtë konferencën ishin të ftuar gjithashtu edhe ministra të kabinetit qeveritar shqiptar dhe italian, ambasadori i Italisë në Shqipëri, si dhe përfaqësues të biznesit nga të dy vendet. Para të pranishmëve, kryeministri Berisha theksoi dhe vlerësoi maksimalisht rolin që populli mik dhe qeveria mike italiane kanë luajtur në hapat që Shqipëria hedh drejt integrimit në familjen evropiane, por edhe mbështetjen që u është dhënë emigrantëve, studentëve dhe biznesmenëve shqiptarë, që çdo ditë e më shumë vazhdojnë të thellojnë marrëdhëniet e shkëlqyera mes të dy vendeve. I pyetur nga moderatori i kësaj konference, në lidhje me motivet që shtyjnë Shqipërinë drejt përshpejtimit të hapave në procesin e integrimit, kreu i ekzekutivit u shpreh se motivet që e shtyjnë Shqipërinë drejt procesit të integrimit qëndrojnë para së gjithash në faktin se shqiptarët në 96 për qind të tyre kanë përcaktuar integrimin në Bashkimin Evropian si të ardhmen e tyre më të shkëlqyer. “Mendoj se Italia ka luajtur dhe luan një rol shumë të rëndësishëm në këtë sens. Së pari dua të theksoj se procesi i integrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Bashkimin Evropian, është procesi më serioz, më themelor, por edhe i vështirë natyrisht, në të cilin kombi dhe vendi është angazhuar ndonjëherë. Ky proces në konceptin tim është dhe duhet të jetë fund e krye i bazuar në meritën”, nënvizoi Berisha. Ai e vlerësoi këtë procesi me interes jetik për qytetarët shqiptarë. Sipas tij, duke e pranuar si një proces të bazuar në meritën, do të thotë një proces në të cilin shqiptarët duhet të realizojnë standardet e vlerave dhe arritjeve që janë të përbashkëta për vendet anëtare. “Këto standarde nuk janë eterike, por janë konkrete dhe janë përcaktuese”, u shpreh Kryeministri i Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›