Berisha: Internet falas në të gjithë territorin shqiptar
Infrastruktura dixhitale dhe rrugore janë dy projektet kryesore të kësaj qeverie, të cilat do të bëjnë të mundur zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Kështu ka deklaruar kryeministri Sali Berisha gjatë përurimit të projektit PAP2 të Postës Shqiptare, i cili mundëson internet falas në të 1250 pikat e aksesit publik. Sipas tij ky projekt bën të mundur realizimin e projektit më madhor të “Shqipërisë dixhitale”.
“Projekti PAP 2 është projekti më unik në botë për ndarjen falas të internetit, është një nga rrugët më kryesore për t’u shkëputur nga një prapamedje e madhe e trashëguar. Në këtë kontekst 7 vite më parë qeveria përcaktoi 2 drejtime themelore për zhvillimin e vendit, infrastrukturën dixhitale dhe infrastrukturën rrugore. Që të dyja më shumë se çdo tjetër janë të lidhura me kohën e qytetarit. Në të dyja është bërë një progres i jashtëzakonshëm. Gjatë 2 vjetëve të ardhshme, Shqipëria do të ketë rrjetin rrugor më të ri, ku shqiptarët mund të kapin kryeqytetin duke shpenzuar 2/3 e kohësh së mëparshme” - tha Berisha.
Kryeministri theksoi rritjen e fluksit të internetit në shkallë vendi, ku duke e krahasuar me vitin 2005 është rritur me 130 herë më shumë. Ai inkurajoi Postën Shqiptare për të rritur në universitete numrin e pikave të aksesit të internetit falas.