John Kerry, Kongresit: Politika e jashtme e SHBA, ndihmon avancimin e stabilitetit global
Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry kundërshton shkurtimet buxhetore nga Kongresi, duke deklaruar se kjo do ta dëmtojë rëndë axhendën e punës së departamentit që ai drejton. “Kërcënimi nga shkurtime buxhetore që shumëkush kërkon t’i evitojë, unë do të thoja pikërisht të kundërtën: nuk mund të jemi të fortë nëpër botë nëse nuk do të jemi të fortë brenda kufijve”
John Kerry mbajti të parin fjalim të tij të rëndësishëm mbi politikën e jashtme në universitetin e Virxhinias, dhe e shfrytëzoi këtë rast për të paralajmëruar se shkurtimet e buxhetit, të caktuara për në muajin mars, do ta dëmtojnë rëndë axhendën e punës së departamentit që ai drejton. Politika e jashtme amerikane,- tha kryediplomati i Shteteve te Bashkuara,- ndihmon avancimin e stabilitetit global dhe është “investim në një Amerikë më të fortë dhe në një botë më të lirë”.
“E kam shume te qarte se ne mjaft drejtime, sfida me e madhe ndaj politikes se jashtme te Amerikës nuk qëndron ne duart e diplomateve, por ne duart e politikeberesve ne Kongres. Shpesh është thënë se nuk mund të jemi të fuqishëm në shtëpi nëse nuk jemi të fortë jashtë vendit, por në këto ditë kërcënimi nga shkurtime buxhetore që shumëkush kërkon t’i evitoje, unë do të thoja pikërisht të kundërtën: nuk mund të jemi të fortë nëpër botë nëse nuk do të jemi të forte brenda kufijve”, tha Kerry.
Shkurtimet buxhetore janë pasojë e mosmarrëveshjeve mes Presidentit Barak Obama dhe Kongresit dhe kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Xhon Bejnër ne me shume se një rast e ka bere te qarte se mendon qe shmangien e kësaj situate, shefi i shtëpisë se bardhe e ka vete ne dore. Kerry këmbënguli të tregonte ne fjalën e tij se sa ndikim ka politika e jashtme ne jetën e amerikanëve, duke nisur nga prodhimet ne treg e deri tek vendet e punës të krijuara nga bizneset amerikane.
Duke mos zgjedhur një udhëtim jashtë vendit, zoti Kerry mbajti fjalimin e tij të parë të madh publik si Sekretar i Shtetit në Universitetin e Virxhinias, i cili u themelua nga ish presidenti i Shteteve të Bashkuara, Thomas Jefferson.
Sekretari i Shtetit diskutoi mbi mënyrat se si globalizimi u ka ndryshuar jetën njerëzve në mbarë botën. Ai u bëri thirrje zyrtarëve amerikanë të përballojnë globalizimin drejtpërdrejt.