E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Italia mbështetje Shqipërinë në të gjitha fushat

Kryeministri Berisha i është referuar sot vizitës së tij në Itali dhe takimeve me krerët më të lartë të shtetit fqinj. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha e ka cilësuar vizitën e tij në Itali si të suksesshme duke theksuar se Italia ka mbështetur Shqipërinë në këto 20 vite në të gjitha fushat.

“Në memorien e shqiptarëve është i pashlyer dekreti i tij si ministër i Brendshëm për legalizimin për emigrantët, dhe qëndrimet e tij humane ndaj këtij problemi të ndjeshëm. Me presidentin Napolitano biseduam për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe kombeve tona mbi fushat me interes të përbashkët, ekonomike, arsim në fushën e energjisë” theksoi Berisha.

Ndërsa i është referuar takimit me homologun e tij Italian Mario Monti, kryeministri Berisha theksoi se I ka shprehur atij mirënjohjen për ndihmën që I ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre 20 viteve.

“Ishte prekëse për mua ku kryeministri Monti më njoftoi se pavarësisht nga vështirësitë qeveria ka vendosur të japë një ndihmë tjetër prej 52 milionë eurosh në kuadër të marrëveshjes së partneritetit strategjik që kanë firmosur qeverisë e të dyja vendeve” theksoi Berisha.

Sipas kryeministrit Berisha një temë e veçantë gjatë takimeve me presidentin Italian Napolitano, dhe me kryeministrin Monti dhe kryetarin e Parlamenti ishte edhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.  “Presidenti Napolitiano, kryeministri Monti dhe kryetari i Parlamentit Fini mbështesin dhe janë shumë të interesuar që Shqipëria të arrijë progresin dhe të marrë statusin e vendit kandidat, natyrisht kjo në bazë të meritës dhe performancës” shtoi Berisha.

Ndërsa shtoi se prespektiva europiane e Shqipërisë është edhe prespektiva më e shkëlqyer, Berisha theksoi se për ta merituar këtë Shqipëria duhet të realizojë reformat. “Progres i mëtejshëm është i nevojshëm në mënyrë që qeveria të mund të bëjë avokatinë që duhet të bëjnë për marrjen e statusit të kandidatit” shtoi kryeministri.
 

Berisha tha se ka ftuar të vizitojnë Shqipërinë, presidentin Giorgio Napolitano dhe kryeministrin Mario Monti në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›