Të vegjlit mblidhen sërish për reformën zgjedhore

Kreret e disa prej partive te vogla / Foto LSA
26 partitë e vogla janë mbledhur sërish sot në një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar mbi reformën zgjedhore. Krerët e partive të vogla kanë kërkuar nga PD-ja dhe PS-ja që të marrin parasysh propozimet e tyre, në mënyrë që reforma zgjedhore të përfundojë në kohë e të jetë e drejtë dhe e barabartë për të gjitha forcat politike.
Kreu i PDS-së, Paskal Milo, shprehu shqetësimin për mosmarrjen në shqyrtim të kërkesës së partive të vogla nga Komisioni i Reformës Zgjedhore. Është një kërkesë shumë e drejtë që kërkon barazinë e votës së qytetarëve dhe do ti bënte mirë klimës politike, tha Milo.
Ndërsa kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, tha se është e domosdoshme që përfaqësimi të bazohet në barazinë e votës dhe propozimi i partive të vogla nuk e cenon aspak Kushtetutën. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, i cili theksoi se përmbushja e kërkesës së partive të vogla do të garantonte një reformë zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it. / G.N.