E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ja mesazhet që kërkonin të vdekur më 21 janar

Kryeministri Sali Berisha gjatë seancës së djeshme, duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të Komisionit Hetimor për ngjarjet e 21 Janarit, ka rrëfyer mbi orët e rrethimit të Kryeministrisë nga demonstruesit, ndërsa nuk ka ngurruar të informojë lidhur me disa mesazhe të shkëmbyera mes drejtuesve të opozitës, ku bëhej thirrje për dhunë e urdhra për vrasje. Më poshtë të gjitha pyetje-përgjigjet e zhvilluara gjatë seancës së djeshme.

Fatos Hoxha: Në ligjin për Shërbimin Informativ neni 5 pika 2 ky shërbim detyrohet që t’i japë Kryeministrit informacion në lidhje me çështjet e sigurisë. A keni patur ju si Kryeministër i vendit informacion direkt nga ShISh në lidhje me ngjarjet e 21 Janarit?

Unë sqarova se kam patur informacione të shumta, por jo nga Shërbimi Informativ Kombëtar dhe nuk ka patur as Policia e Shtetit.

Hoxha: Pyetja e dytë ka të bëjë me puçin, siç e quani ju, të datës 21 Janar. Dhuna në këtë demonstratë u paralajmërua dhe u provokua, vetë demonstrata nuk pati asnjë mesazh politik, gjatë gjithë kohës u ushtrua vetëm dhunë dhe sulm mbi institucionet. Në këndvështrimin tuaj, zoti Kryeministër, pse nuk ka hetim për iniciatorët e dhunës?

Gjatë demonstrimit ka patur këto, më lejoni t’u lexoj vetëm një segment: “Sa kërciti pushka e parë, bërtitën me të madhe, është momenti me u dhënë kallashët, kapni kallashët, u çoni kallashët. Gjenerali, nuk quhet gjeneral, nuk është luftarak, bërtiste me të madhe: “Është koha sërish, pyeste, është koha me u çue kallashët, çoni kallashët”. Kreu i puçit ndodhej aty, kreu i puçit u nis të largohej kur makina që do hapte dyert e Kryeministrisë hyri në oborrin e Kryeministrisë. Pra, nuk kishte slogane, kishte urdhra dhe komandë. Kishte urdhra, ndaj dhe ato tabulatet i kanë lemerisur. Aty ishin nën komandën e Edi Ramës 3-4 persona të tjerë të cilët urdhëronin. Ky që pyeste për kallashin është një nga bosët kryesore të mafias shqiptare, lejtnant kryesor i Edi Ramës, me imunitet. Sikundër tjetri që u thoshte se “Na duhen të vdekur. Kjo përpjekje është e tmerrshme, por është humbje e madhe po nuk pati të vdekur”. Dhe ky është një kriminel tjetër, që qëndronte mbi grupin e të ashtuquajturve analistë, që në kohë paqe shkruanin fjalimet, në kohë lufte urdhëronin plumbat. Pra, nuk kishte slogane, kishte urdhra, kishte urdhra për tritol, kishte urdhra për kallash, kishte urdhra për të gjitha veprimet. Ngazëllimi i tyre kur u hap dera ka qenë i jashtëzakonshëm. Dëshpërimi i tyre ka qenë vdekësor kur u pa që territori nuk mund të merrej.

Fatos Hoxha-Zoti Kryeministër, përse Prokuroria, në këndvështrimin tuaj, nuk heton këta iniciatorë të dhunës?

Besoj se është bërë shumë i qartë qëndrimi. Në rast se Prokuroria do të kishte hapur çështje për dhunim të rendit kushtetues, ju garantoj se ju sot nuk do ishit këtu dhe unë nuk do isha përballë jush dhe ju nuk do ishit në këtë komision. Por fakti që Prokuroria bëri gjithçka për të mbrojtur, për të arrestuar komandantët e Gardës dhe për të liruar një nga superkriminelët e atij puçi, dëshmoi se jo vetëm ka humbur pavarësinë, por ka qenë pjesë e tij. Sidoqoftë, tani dua të siguroj shqiptarët se hetimi do jetë i shkëlqyer dhe se ky hetim ka besimin e plotë të qeverisë shqiptare, por duhet të ketë besimin e plotë të të gjithë shqiptarëve. Qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se ajo nuk mbështet një qeveri, nuk mbështet një parti politike, ajo mbështet popullin shqiptar. Jam i sigurt që cilado qeveri të kishte qenë, qëndrimi i këtij vendi mik do të ishte ky që u tregua në këto ditë të vështira. Ndaj dhe nuk kemi pse të mos kemi besim të plotë te procesi hetimor.

Alibeaj-Zoti Kryeministër, unë do bëj skeptikun sot në këtë Komision hetimor për atë çfarë Ju thatë dhe çfarë kemi parë. Në hetimin e situatës që u konstatua më 21 Janar një gjë u perceptua mediatikisht nga të gjithë, godina e Këshillit të Ministrave e rrethuar, godina e Këshillit të Ministrave e goditur, godina e Këshillit të Ministrave e cenuar. Ju thatë se që në orën 2 e 15 keni qenë në zyrën tuaj. Gjatë gjithë periudhës prej 5 orësh, kur godina e Këshillit të Ministrave ishte në këtë agresion, dhe ju ndodheshit brenda, a keni pasur ju kontakte me krerët e institucioneve shqiptare?

Së pari, unë kam qenë në komunikim periodik me ministrin Basha, i cili më ka ardhur në zyrë dhe i kam kërkuar që të ndjekë detyrën. Kryetaren e Parlamentit, kam komunikuar periodikisht, ministrin Imami dhe të tjerë. Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, kam ndjekur çdo minutë zhvillimet.

Alibeaj- Në këtë rast unë do doja të dija, Ju thoni që sjellja e institucioneve shqiptare, ato të cilat drejtpërdrejt apo tërthorazi kanë pasur detyrimin të informonin, parandalonin, madje dhe të ndëshkonin, kanë qenë thjesht pasive, që është varianti i parë. Kanë qenë aktive, por në kundërshtim me ligjin, varianti i dytë?

Më duhet të them se kurrë atë ndërtesë nuk mund ta merrte kush, kjo ishte jashtë çdo lloj dyshimi. Problemi im më kryesor ishte çmimi i mbrojtjes, po mbrojtja e flamurit ishte absolut. Nuk mund të bëj fjalë që kush ta merrte ndërtesën, me asgjë ndërtesa nuk mund të merrej. Ndërtesave Garda e Republikës u garanton një mbrojtje të shkëlqyer, të gjithanshme, ndërkohë punonjësit aty janë të detyruar të nderojnë detyrën, janë të detyruar që për territorin brenda të shndërrohen në gardistë. Dhe absolutisht nuk kam pasur as impresionin më të vogël nga një grup bashibozukësh. Natyrisht, rregulli donte që të mos i hidhja në Lanë, po të shkonin te drejtësia. Ju garantoj ju, që ekzistonin të gjitha forcat që ata, po të ishte puna, të përgjigjeshim flakë për flakë, do u jepej siç e meritonin. Por kjo nuk mund të ndodhte në një vend me institucione të forta dhe demokratike. Nuk kishte asnjë arsye. Mbrapa, jo aty, më janë kujtuar bedenat e kullës sime. Në rini të hershme, të cilat të frymëzojnë të mos impresionohesh nga rrethimi. Por aty nuk isha ai, aty isha Kryeministri i vendit, duhet të nderoja detyrën time. Ndaj dhe kjo s’mund të bëhet fjalë kurrë, ata nuk mund të pushtonin institucionet e këtij vendi, sepse janë kështjella lirie të qytetarëve shqiptarë. Të një vendi anëtar të NATO-s. Patëm tri viktima, keqardhjen time më të madhe, ngushëllimet e mia më të thella, hetimin më të plotë. Këta mendonin se duke dekapituar Gardën do ta kishin më të thjeshtë. Do ta kishin shumë më të vështirë, shumë më të vështirë dhe të pamundur. Ndaj dhe gjykoj se, pavarësisht se aq sa i shëmtuar ishte akti, aq dhe ligjor ishte qëndrimi.

Dashnor Sula- Zoti Kryeministër, Ju në këtë sallë dëgjimore shpjeguat dhe deklaruat se keni prova të plota, përsa i përket të ashtuquajturit grusht shteti. A jeni në gjendje që para këtij Komisioni të mund t’i kemi ne ato prova, pasi përmendët te Tajvani një makinë me tritol dhe me kallashnikov. Kur do ia paraqisni Komisionit dhe kur do ia paraqisni Prokurorisë? Ju në deklaratën tuaj thatë se segmente të caktuara të institucioneve të Republikës kanë qenë pjesëmarrës në këtë puç. Duke qenë se organi i prokurorisë nuk ka filluar një procedim të tillë dhe duke patur të gjitha këto prova, atëherë pse policia nuk ndalon ose arreston nxitësit, organizatorët dhe ekzekutorët e grushtit të shtetit, në bazë të Kodit të Procedurës Penale të nenit 251 pika 1 dhe 2. Policia ka të drejtë të referojnë materialet për një precedim penal të tillë, me qenë se Prokuroria ende nuk ka nisur një proces hetimor për këtë?

Së pari, kanë qenë apo jo të implikuar kjo ju takon ju, unë këtu vij për të paraqitur ato çka di në një ngjarje. Por se cila është shkalla e implikimit dhe cili është realiteti, i takon këtij Komisioni hetimor parlamentar dhe unë do të jem plotësisht dakord me konkluzionin e plotë të tij. Por unë si kryetar i kësaj mazhorance e kam të vështirë të mos jem i hapur me shqiptarët, mos jem i hapur me ju. Ju keni administruar këtë deklaratë të datës 21 Janar të kreut të shtetit, ku thuhet se po ndjek me shqetësim të jashtëzakonshëm situatën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Se ku ishte, aty diku nga Stacioni i Trenit, apo ishte nga Këshilli i Ministrave, apo te sheshi “Nënë Tereza”, kjo është punë tjetër dhe i bëhej thirrje për qetësi dhe maturi. U bëj thirrje të gjithë faktorëve politikë që të qetësojnë demonstruesit, edhe atyre që kishin rrethuar Këshillin e Ministrave dhe Këshillit të Ministrave që ishte i rrethuar. Këta ishin faktorë dhe të garantohej sa më shpejt rikthimi i rendit publik. Pra, unë nuk mund të mos them këtë modifikim. Është në tagrin tuaj që të bëni verifikimin e çdo dokumenti. Kam ardhur i pari të dëshmojë këtu, të mos bëj as prokurorin as akuzatorin e kurrkujt, të paraqes ato çka unë di për këto zhvillime. Jeni ju që do ta bëni këtë hetim.

Sula: Në deklaratat tuaja shpjeguat, zoti Kryeministër, se kemi disa titullarë institucionesh të cilët kanë qenë pjesëmarrës në këtë grusht shteti. Pyetja ime do të ishte e drejtpërdrejtë, po supozoj se ky Komision hetimor do përgatisë një raport përfundimtar, të cilin do e paraqesë në seancën plenare për votim. Nëse seanca plenare voton një raport të tillë, ku del qartë që kemi një grusht shteti dhe ky raport i përcillet organit të prokurorisë, a mendoni se Prokuroria Shqiptare, duke patur parasysh se organi i Prokurorisë është një organ i centralizuar, do të bëjë të mundur hetimin e një procedimi të tillë, i cili do t’i vihet nga raporti i paraqitur nga Parlamenti dhe Komisioni i nderuar?

Ju jeni dëshmitarë që po hetoni diçka krejt tjetër, po hetoni grushtin e shtetit, po hetoni të gjithë atë që shqiptarët e panë, një përpjekje pesë orëshe për të përmbysur me dhunë një qeveri. Por pas ardhjes së ekspertëve dhe prokurorëve të SHBA-së, unë kam besim të plotë dhe total në konkluzionet e tyre, sepse ky vend mik i solli në një rast jashtëzakonisht të veçantë, i solli duke patur bindjen e plotë se sqarimi dhe drejtësia për këtë çështje janë jetike për paqen dhe stabilitetin në vend. Kështu, unë mund të them se kam besim të plotë dhe te hetimi që po bën Prokuroria, kam kënaqësi shumë të madhe se gjithçka po ruhet në kuadrin institucional. Është e vërtetë ajo që thatë, por aty ka prokurorë që s’kanë qenë dakord me këto veprime. Unë jam kryetari i mazhorancës që u tentua të përmbysej. Unë respektoj dhe do respektoj çdo institucion. Unë shpreha me fakte disa fakte të hidhura për këtë ngjarje, por vlerësimin do ta bëni ju dhe mbi bazën e vlerësimeve tuaja do vendosë dhe Parlamenti për të ndriçuar plotësisht këtë ngjarje. Një gjë është e sigurt, se ne e patëm shumë të detyruar këtë akt, se, në rast se Prokuroria do bënte detyrën, ne nuk do kishim nevojë për këtë.

Gent Strazimiri: A keni informacion se çfarë ka bërë Prokuroria lidhur me hetimin e videos Meta-Prifti?

Lidhur me videon, nuk kam treguar asnjë lloj interesi të veçantë se ç’po bën Prokuroria me videon. Di që Prokuroria publikisht kërkoi ekspertizë ndërkombëtare nga një vend mik dhe kjo nuk iu dha, se veprimi i saj ishte një veprim, mënyra sesi u bë kërkesa, ishte një veprim shumë i gabuar. Prokuroria do ketë gjithë mbështetjen për një hetim të plotë të asaj videoje. Në raport me puçin, Prokuroria nuk ka hapur çështje për puçin, fare. Ndaj unë ju kërkoj ju që t’ia merrni atë video policisë, t’i bëni gjithë vlerësimin e duhur me ekspertët më të mirë ndërkombëtarë dhe të gjeni lidhjet e saj si segmenti, si preteksti që u shfrytëzua nga PS-ja për puçin. Kjo është evidente dhe nuk mund të mohohet.

Strazimiri: A e keni ndjere veten të kërcënuar Ju personalisht? Ju a kishit dijeni se eliminimi fizik ishte një nga objektivat e asaj dite?

Dua t’ju garantoj se, përveç momentit të dështimit të plotë dhe total të shërbimit për të informuar për atë që përgatitej, nuk ekzistonte asnjë e dhënë tjetër e këtij shërbimi. Nuk kam asnjë arsye që unë të lëshoj dhe të hijen më të vogël të dyshimit. Kam pasur ndërmend të zëvendësoj kreun e ShISh-it, mbi bazën e mandatit, i qëndrojë plotësisht asaj, e kam shtyrë, sepse një vend mik, shumë mik, që ka përgjegjësi për botën në botë ma ka kërkuar. Dhe kjo është normale. Përsa i përket qëndrimit tim, natyrisht ato pesë orë i kam përjetuar, jo pa dhimbje për ata policë që goditeshin në mënyrën më barbare nga një grusht kriminelësh, të droguarish, mercenarësh, të cilëve u ishte thënë që në orën 12 të ditës, në disa rrethe u ishte thënë, që ka rënë Sali Berisha, se ai sot e ka fundin e tij, edhe ata erdhën tani të ngrinin gurët nga themelet e Kryeministrisë. Kështu që unë personalisht, përveç keqardhjen që ndieja për policinë dhe Gardën, në drejtim së cilës hidheshin tritole dhe që kishte mbrapa vetëm murin, kurse për veten s’e kam ndjerë fare të kërcënuar, absolutisht. E para, brenda nuk hynin kurrë; e dyta, po të ndërmerrnin një sulm frontal do të ndërmerrnin një disfatë frontale. Parashikoja se mund të vinin me armë, por pastaj do të fliste tjetër gjë, s’do të flinin me mburoja, jo ka rregulla të tjera. Do zbatoheshin ligjet. Prandaj unë personalisht s’kam ndjerë asnjë lloj rreziku dhe i kam parë punonjësit e mi të qetë si çdo ditë. Nuk mund të ketë impresione.

Strazimiri: Gjatë atyre 5 orëve të rrethimit Ju s’keni pasur asnjë telefonatë as nga Presidenti, as nga kreu i ShISh-it apo Prokurorja, për t’ju pyetur si jeni?

Jo, s’kam pasur asnjë, kam patur me qindra nga qytetarët.

Viktor Gumi: A përbën grushti i shtetit një moment për reflektim institucional, në çfarë drejtimesh dhe çfarë masash mendoni të ndërmerrni?

Unë mendoj se ky ekzekutiv ka një qëndrim të kristaltë, respekt të plotë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Do protestojnë sa herë të duan dhe kudo që të duan. Vendosmëri absolute për të mbrojtur institucionet e vendit. Ide nga më të ndryshmet, jo zotëri nuk kemi, ne e faktuam forcën e pathyeshme të shtetit ligjor. Ka pasur momente që më është thënë të kërkojmë ushtrinë. U kam thënë jo, se nuk ka nevojë. Pra, ekzekutivi mbetet i vendosur për të vazhduar reformat dhe zbatimin e ligjit.

Cila është hallka më e dobët që nuk funksionoi dhe hallka më e fortë?

Mendoj se hallka më e dobët ka qenë fakti që para datës 21 ka qenë mungesa totale e informacionit nga ShISh, kjo përbën hallkën më të dobët, dobësinë më ekstreme, sepse taksapaguesit shqiptarë paguajnë sot shtatëdhjetë për qind më shumë për pagat e punonjësve, se gjashtë vjet më parë. Mendoj se ky shërbim nuk ka përmbushur detyrën e tij në një moment kyç për vendin. Është në tagrin tuaj të bëni një hetim të plotë, natyrisht për çdo lloj dokumenti që do keni nevojë, ju do ta keni në dispozicion, qoftë të Kryeministrit, qoftë të shërbimit. Hallka më e fortë nuk më mbetet mua, por dua të them se ajo ishte ligji që i motivoi ata burra dhe gra të Gardës dhe të policisë që ta mbrojnë ligjin, rendin.

Alibeaj: Duke qenë se objekti kryesor është ndryshmi i rendit kushtetues, keni pasur komunikime me faktorë ndërkombëtarë se çfarë është duke ndodhur dhe çfarë reagimesh keni dhënë?

Mendoj se faktori ndërkombëtar ka mbështetur fuqishëm shqiptarët në kapërcimin në mënyrë sa më ligjore dhe demokratike të puçit dhe të pasojave të tij. Kjo është e vërtetë dhe unë kam një vlerësim shumë të madh. Për diplomatët duhet t’u jem mirënjohës, sepse diplomatët na kanë paralajmëruar. S’na kanë thënë se do të ketë grusht shteti, por do të jetë situatë shumë kritike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›