E Shtunë, 31 Tetor 2026

ShISh solli zero informacion, i mbetem kufizimit të mandatit

TIRANË- Në dëshminë e tij para Komisionit hetimor parlamentar, kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar gjithashtu se nuk ka hequr dorë nga kufizimi i mandatit të Drejtorit të ShISh-it. “Ajo që është e papranueshme dhe që kërkon një hetim të thellë nga ana juaj është fakti se Shërbimi Informativ Kombëtar, Agjencia përgjegjëse për zbulimin dhe kundërzbulimin në këtë vend, që një nga objektivat kryesore ka mbrojtjen e rendit kushtetues, nuk ka sjellë as edhe informacionin më të vogël. Kërkesës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë në datën 16 janar dhe ju do keni disponibël dokumentin, kjo Agjenci i përgjigjet se nuk ka asgjë të re. Ndërkohë kur ne kishim informacione të plota për atë që mund të ndodhte. Cili është shkaku dhe arsyeja, çfarë ia lidhi sytë e i shurdhoi veshët këtij Shërbimi, për të cilin qeveria shqiptare shpenzon sot, për punonjësit e saj, 70 për qind më shumë se në vitin 2006. Natyrisht, ishte një shërbim me 1500 vetë dhe i binte të ishte 10 herë më i madh se Shërbimi i Britanisë së Madhe, po ta proporcionojmë për frymë, u ridimensionua dhe arriti në 950 vetë dhe për punonjësit shpenzimet në këtë Shërbim janë rritur 70 për qind, sa asnjë institucion tjetër i vendit”,- tha ai. Berisha shtoi se kjo çështje meriton një hetim i plotë. “Nëse këta sy të lidhur e veshë të shurdhur kanë lidhje me vendosmërinë e Kryeministrit për të përcaktuar mandatin, është në tagrin tuaj ta hetoni. Pas një kërkese të bërë nga aleati e vendi që ka përgjegjësinë kryesore në botë për sigurinë, unë e shtyva, ndonëse unë mbetem dhe i qëndroj parimit të mandatit. Por një vend që ka bërë gjithçka për Shqipërinë, më shumë se kushdo tjetër, nuk mund të mos dëgjohej nga Kryeministri dhe këtë e bëra pasi bisedova me zyrtarë të qeverisë amerikane me një mirëkuptim. Natyrisht, jo se unë do të hiqja dorë nga mandati, por normale që në çështjet e sigurisë, e them edhe haptas, ne mbështesim kudo e për çdo gjë qeverinë e Shteteve të Bashkuara, e mbështesim sepse ato kanë përgjegjësinë kryesore në botë për sigurinë e paqes e stabilitetit. Kjo është arsyeja”, - tha ai. Berisha tha se është e papranueshme që gjatë ditës së 21 Janarit Drejtori i Shërbimit Informativ nuk i ka hapur telefonin Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. “Po ditën e puçit, ky zotëri i ka deklaruar Shefit të Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake se nuk ka asgjë të veçantë. Dhe kjo është një deklaratë në drekë. Komisioni duhet të hetojë për të gjithë këto”, - shtoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›