CIA: Ekonomia e Shqipërisë u rrit 3.1% më 2010
Shërbimi Inteligjent Amerikan (CIA) informon se, ekonomia e Shqipërisë gjatë vitit që shkoi u rrit me 3.1 për qind, ndërsa të ardhurat për frymë arritën në 8000 dollarë për frymë. Në fakt shifra e dhënë nga CIA, për të ardhurat për frymë, është më e lartë se deklarimet zyrtare, të cilat nuk arrijnë as gjysmën, por në fakt CIA përfshin në llogaritjen e të ardhurave për frymë edhe madhësinë e ekonomisë informale në vend. Rritja ekonomike në Shqipëri ndërmjet viteve 2004-2008 ka qenë 6 për qind, por ka zbritur në rreth 3 për qind gjatë viteve 2009-2010, analizon Shërbimi Inteligjent Amerikan. Ndërsa inflacioni vijon të jetë i ulët dhe stabël. CIA vlerëson se, qeveria ka marrë masa të ulë kurbën e krimit dhe së fundmi ka adoptuar një paketë fiskale, nëpërmjet të cilës synohet reduktimi i ekonomisë informale dhe tërheqja e investimeve të huaja. CIA vlerëson se, ekonomia e Shqipërisë, është furnizuar me të ardhura nga prurjet e emigrantëve nga jashtë, në rreth 15 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, të cilët më së shumti jetojnë në Itali dhe Greqi. Këto të ardhura kanë përmirësuar deficitin tregtar. Ndërsa sektori i Bujqësisë mbetet ende shumë i pazhvilluar, për shkak se punëson gati gjysmën e të aftëve për punë dhe nga ana tjetër kontribuon vetëm me një të pestën në Prodhimin e Brendshëm Bruto, cilëson CIA në të dhënat për ekonominë shqiptare. Bujqësia mbetet ende në stad familjar, pa mundur të zhvillohet në stade të mëtejshme, për shkak të problemeve me pronësinë, thuhet në raportin e CIA për ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë 2010. Sipas të njëjtit institucion, furnizimi me energji elektrike vijon të kryhet nga hidrocentralet. CIA vë në dukje se, në drejtim të sektorit të energjisë, është ndërtuar një termocentral i ri në Vlorë, i cili mund të ndihmojë në diversifikimin e energjisë elektrike, ndërsa ndërtimi i linjave të reja të interkonieksionit me Malin e Zi dhe me Kosovën, do të ndihmojë edhe më shumë në furnizimin e vendit me energji. Raporti i CIA për ekonominë shqiptare vë në dukje se, me ndihmën e fondeve të BE dhe qeverisë janë duke u ndërmarrë hapa për përmirësimin e rrjetit të rrugëve nacionale dhe rrjetit hekurudhor, të cilat për një kohë të gjatë kanë qenë një barrierë për zhvillimin ekonomik të vendit. Në fakt parashikimet e Shërbimit Inteligjent Amerikan, për rritjen e ekonomisë shqiptare këtë vit janë gati të njëjta me parashikimet e institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare, të cilat presin nga kalkulimet finale një rritje të ekonomisë shqiptare 2-3 për qind për vitin që shkoi.