Berisha: Jam ende e ardhmja e politikës, jo histora e saj. Koalicioni me LSI, jetëgjatë

Kreu i qeverisë në “Opinion” për ndërtimin e kabinetit qeveritar, por edhe për mungesën e konkurrencës në radhët e opozitës
TIRANE – “Nuk jam historik, jam e ardhmja”. Kështu e përkufizoi profilin e tij politik, kryeministri Sali Berisha si lider i vendit. Kryeministri u shpreh nga studiot e emisionit “Opinion”, se ulej përsëri aty, pas zgjedhjeve si fitimtar, nga vota unike e të rinjve të të gjithë vendit. “Gjersa unë ulem sot si më i votuari nga rinia, të gjitha fitoret e mia, të gjitha sukseset kanë pasur si faktor vendimtar të rinjtë. Fakti që edhe këtë radhë ulem si fitimtarë, ulem nga të rinjtë. Historinë le t’ua lëmë arkivave. Gjithçka ishte e lidhur me idealet evropiane në vitin 1991. Të rinjtë janë të bashkuar me PD, për idealet evropiane, për një Shqipëri të zhvilluar dhe të integruar në Bashkimin Evropian”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë deklaroi se “kam një raport të përjetshëm me rininë shqiptare”. “Të rinjtë kanë treguar një përkushtim të jashtëzakonshëm në këtë fushatë. Pa ata nuk do të isha sot këtu. Vullnetarizmi i tyre, energjia e tyre, ishte energjia dhe entuziazmi i fitores. Ndaj nuk dua të flas për arkivat e historisë, unë jam për të ardhmen”, nënvizoi kryeministri Berisha. Koalicioni PD-LSI, formë e re dhe e dobishme për vendin Kryeministri Sali Berisha e konsideron ndërtimin e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Socialiste për Integrim, si një formë të re dhe të dobishme për vendin. Kreu i qeverisë deklaroi se koalicioni i ri që pritet të formalizohet në shtator, është i diktuar nga zgjedhësit, të cilët zgjodhën kryeministrin, por për ndërtimin e qeverisë së qëndrueshëm, është i domosdoshëm ndërtimi koalicionit. “Koalicioni është një formë e re dhe e dobishme. Është i diktuar nga zgjedhësit, por edhe po të mos diktohej rezultati, LSI-së do t’i ofroja mundësinë në qeverisje. Është e rëndësishme që zgjedhësit të mos i konsiderojnë gjërat si të ndara me thikë. Ky koalicion ka disa merita. Askush nuk shkon në zgjedhje për shkak të rezultatit. Shkohet në zgjedhje kur koalicioni nuk funksionon. Shkuarja në zgjedhje është nëpërkëmbje e sovranit. Nëse nuk do të ekzistonte LSI, do ti drejtohesha për koalicion PS dhe të shmangia ripërsëritjen e zgjedhjeve. Ndodhi që me LSI, mund të krijohej një koalicion i qëndrueshëm me 75 vota. Atëherë do të ishte gabim që të shkojë te koalicioni i madh sepse do të lije vendin pa opozitë dhe opozita është pushteti moral”, u shpreh kryeministri Berisha. Duke iu referuar qëndrimit të Edi Ramës, pas zgjedhjeve dhe për mundësitë e nderimit të koalicionit të ri qeverisës, Berisha tha se “Rama ofroi me kërcënime se nëse do bëhet koalicion i gjerë nuk njoh zgjedhjet dhe do dal me njerëzit në rrugë. Oferta e dytë e tij ishte se do të japim 6 deputetë dhe të ngelet Meta në opozitë. Jo, u thash, se Meta ka 80 mijë vota. Me këtë kombinim PD-LSI bëhet përfaqësimi i elektoratit arrin në 52 për qind, që zgjedh çdo president dhe çdo qeveri në botë. 75 votat janë stabile. Ky do të jetë një nga koalicionet më stabile edhe marrëdhëniet e mia me Metën do të jenë stabile. Nëse ka ndonjë forcë politike e persekutuar për 8 vite, është LSI. 2 muaj resht i kam kërkuar Edi Ramës të mos bëjë përjashtimin e LSI se është shtypje e ligjit. LSI e kishte me marrëveshje komisionarin e saj. Jam përpjekur nëpërmjet ndërmjetësve dhe faktorëve diplomatikë dhe Edi Rama nuk pranoi. Kur filloi greva e urisë, Edi Rama u zhduk, nuk fliste”, deklaroi kryeministri. Shefi i ekzekutivit tha se në asnjë mënyrë nuk do të merrte vota të trafikuara nga deputetë të PS. “Qeverisjen time do të bëja në mënyrë transparente”, tha Berisha. Kreu i qeverisë evidentoi se baza e koalicionit është Integrimi. Sipas Berishës, kur LSI u shkëput nga PS, u shkëput me idenë se kjo parti nuk po i qëndronte besnike parimeve të integrimit të vendit. “Mbi këtë bazë Ilir Meta kryesoi komisionin e Integrimit në katër vite. Nuk mund të ketë program më të mirë, më serioz, më mitik, për qytetarët se sa programi i integrimit. Marrëdhëniet me Metën do të funksionojnë. Nëse ftoj një forcë politike për bashkëpunim, nuk e bëj kurrë me dy mendje. Ky bashkëpunim, në mënyrë absolute, janë diskutuar dhe trajtuar çështje programore si punësimi, reformat ekonomike, përfshin edhe zgjedhjet lokale dhe njëherazi përfshin edhe një përpjekje për të hequr ndëshkimin ligjor të LSI. Nuk mund të përdorësh ligjin ndaj kundërshtarit. Bashkëpunimi është katër vjeçar, shtrihet për të gjitha zhvillimet e mëdha katërvjeçare”, deklaroi më tej Berisha. Për sa i takon rolit të ish kryetarit të Partisë Socialiste Fatos Nano, Berisha tha se nuk është i projektuar në këtë koalicion ashtu sikurse edhe PS. “Fatos Nano është i Partisë Socialiste, mua nuk më takon të ndërhyj në asnjë nga problemet e tyre. PS ka eksponentët e vet, jo të paktë”, tha kryeministri. Për ndarjen e posteve të qeverisjes së ardhshme, kryeministri Berisha bëri të ditur se asgjë nuk është përcaktuar, përveç diskutimeve programore me LSI. “Deri në 10-ditshin e fundit të korrikut, asgjë nuk do të jetë e përcaktuar. Të humbasësh dy muaj, kur kemi dhjetëra e qindra projekte përpara, është mëkat i madh. Ne po punojmë me kapacitet të plotë. Me .Metën kemi filluar negociata, komunikimi është intensiv, ne po përgatisim qeverisjen katër vjeçare”, tha kryeministri. Kryeministri Berisha u zotua se do të respektojë në çdo pikë marrëveshjen me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në 2013-ën do të jem përsëri në garën elektorale për të fituar Kreu i qeverisë Sali Berisha deklaroi mbrëmë në emisionin “Opinion”, se edhe pas katër vite do të jetë sërish në garën elektorale, për të udhëhequr vendin drejt sfidave të mëtejshme post integruese. Duke komentuar atmosferën që do të shoqërojë parlamentin e ri, Berisha u shpreh se një pjesë e deputetëve do të përcaktojnë rezultatin e tij në vitin 2013. “Unë do të vazhdoj të jem në garë, për sa kohë do të më votojnë të rinjtë”, tha Berisha. “Nëse do të humbisja do të jepja dorëheqjen dhe do të tërhiqesha nga jeta politike. Udhëhoqa një betejë, udhëhoqa një fushatë, udhëhoqa një parti dhe do tu hapja rrugë përfaqësuesve të tjerë. Nëse Sail Berisha do të kishte humbur zgjedhjet e lira dhe të ndershme, nuk do të isha në këtë studio. Unë nxora nga skena politike Edi Ramën. Paraardhësi i tij vendosi një standard. Nuk më tremb ideja që Edi Rama të jetë në krye të PS. Uroj që vitet në vijim t’i sjellin pak më shumë rini. Urimi im ishte shumë i sinqertë për të”. Kryeministri Sali Berisha u ndal edhe në analizën e figurës së Ben Blushit, si kandidat i mundshëm për kreun e PS-së. Blushi, me idetë e tij iluzive se mund të bëhet lider, me duken të pabaza. Nuk mendoj se Partia Socialiste do të ketë të ardhme politike me Ben Blushin”, u shpreh Berisha. Më tej ai komentoi edhe pretendimet e opozitës, lidhur me rezultatin e Qarkut të Fierit. “Opozita ka të drejtë të bëjë shumë objeksione. Kutitë e Fierit do të numërohen. Opozita dhe pozita duhet të kërkojnë zbatimin e ligjit. Unë nuk mund të ndërhyj në vendimet e opozitës. Të përdorësh alibi për njohjen apo mos njohjen e zgjedhjeve, nuk është zgjidhje. Edi Rama nuk më telefonoi për fitoren e zgjedhjeve. Ai humbi rastin sepse anashkaloi një standard. Nuk kisha asnjë motiv të kundërshtoja atë rezultat në zgjedhje. Ishin zgjedhjet më të mira. Për sa i takon KQZ nuk ka as edhe një vendim të pabazuar në ligj. Nëse opozita mendon se ligji duhet të zbatohet ndryshe, për të njëjtin rast atëherë ajo po kërkon të shkelë ligjin. Më duhet të shtoj se opozita ka qenë e përfaqësuar në KQZ aq sa edhe mazhoranca”. “Këto rezultate kanë sjellë një risi, për ndërtimin e koalicionit. Sali Berisha asnjëherë nuk ka qeverisur pa koalicion. Edhe kur kam pasur votat, kam zgjeruar koalicionin. Kësaj here, sovrani votoi për një formë koalicioni, për të cilin jam i bindur se do të jetë i dobishëm për vendin. Është e domosdoshme të pranosh diversitetin dhe të ndërtosh koalicionin. Fitorja është shndrritja e saj”, komentoi Kryeministri të renë e këtyre zgjedhjeve në Shqipëri. “Kam ndjerë një kënaqësi të jashtëzakonshme në zhvillimin e këtyre zgjedhjeve, që kanë qenë zgjedhjet më të lira. Numërimi i votave me kamera, është numërimi i parë në historinë e planetit. Unë mund të them se është jashtë çdo lloj mundësie që ketë një numërues, por nuk ka asnjë vend tjetër në botë që ve fletën e votimit para çdo anëtari partie dhe para kamerës. Standardi që vendosi Shqipëria me kamera është një standard unik. Qytetarët shprehën votën lirshëm”, tha më tej ai. Objektivat e qeverisë për katër viteve të ardhshme “Liberalizimin e vizave. Do të plotësojmë çdo detyrim për t’ia arritur. Duhet të theksojmë se ish Republika Federative e Jugosllavisë ka qenë me standarde më shumë se 50 vjet para Republikës Popullore të Shqipërisë. Kanë disa vite që kanë plotësuar standardet shumë para nesh. Problemi kryesor për ne është pajisja me pasaporta biometrike. Nëse nuk ecën procesi i pajisjes me pasaporta biometrike, ne do të jemi të detyruar të shpallim skadencën e pasaportave ekzistuese”, rendit më tej objektivat e qeverisë në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar. Një objektiv tjetër do të jetë infrastruktura rrugore. “Vendi do të ketë rrjetin më modern rrugor. Shumë herë e kam pyetur veten mos po gaboj më këtë përqendrim total në rrugë, por jo, e shoh se është e domosdoshme. Shqipëria ka bukuri mahnitëse që mund të zbulohen vetëm nëpërmjet rrugëve. Shqipëria ka pasuri të mëdha që mund të zbulohen vetëm nga ndërtimi i rrugëve”, tha kryeministri. Çështja e punësimit, u shpreh kreu i qeverisë, do të jetë në fokus të punës së ekzekutivit. Në vijim të realizimit të reformave, kryeministri Berisha theksoi reformat ekonomike, realizimin e reformës në sistemin shëndetësor. Sipas kryeministri Berisha, në fund të katër viteve të ardhshme, Shqipëria do të jetë e përgatitur për anëtarësim në plotë në Bashkimin Evropian. Për krizën ekonomike Berisha bëri ët ditur se, jemi ekonomi në ekspansion “Vendit nuk po i troket kriza ekonomike. Buxheti i këtij viti është 2 herë më i madh se buxheti i vitit 2013. Ne jemi një ekonomi në ekspansion. Edhe skeptikët më të madhej na rendisin në krye të rritjes ekonomike, me rritje solide”. Gjithashtu Berisha se në katër vitet e ardhshme kjo qeveri do të ndërtojë edhe unazën e madhe të Tiranës. Duke e konsideruar si rrugë nacionale, Berisha bëri të ditur se kjo unazë, është detyrim i qeverisë, për shkak se kalon na bashkinë e komunës dhe disa komuna. Siaps Berishës, unaza e madhe e Tiranës do të ketë tetë korsi.
...