Brukseli premton heqjen e vizave për shqiptarët gjatë 2010-s

Lëvizja e lirë për shqiptarët po realizohet edhe më shpejt sesa premtimi elektoral i kryeministrit Berisha. Nga trashëgimia e qitapeve, që lanë qeveritë socialiste, brenda një mandati, reforma e jashtëzakonshme po i çon shqiptarët tek pajisja me dokumentet e udhëtimit, më të sigurta në të gjithë Evropën. Me marrjen e pasaportave biometrike, deri në fund të 2009, çelet rruga që shqiptarët të lëvizin pa viza në të gjithë hapësirën “Shengen”. Konfirmimi ka ardhur dje nga Zëvendëspresidenti i KE-së, Zhak Barrot TIRANE – Zëvendëspresidenti i KE, njëherazi Komisioneri për drejtësi i BE-së, Zhak Barrot tha dje se në vitin 2010 BE-ja do të heqë vizat me Shqipërinë. Komisioneri Barrot doli dje në një konferencë të posaçme për shtyp, ku deklaroi në mënyrë zyrtare se në 2010 shqiptarët do të lëvizin pa viza në të gjitha vendet e BE-së “Shqipëria dhe Bosnja do të bëhen pjesë e liberalizimit të vizave në vitin 2010, kur t’i kenë përmbushur kriteret e duhura”, tha zoti Barrot. Ky propozim do të bëhet pas disa ditësh dhe ai duhet të marrë miratimin e 27 ministrave evropianë të drejtësisë, pavarësisht se votimi unanim nuk është i nevojshëm. Shqipëria ishte shumë prapa me reformat që kërkonte një vendimi për lëvizjen e lirë, por gjatë katër viteve të para të qeverisjes "Berisha", krejt sistemi iu nënshtrua një reformimi të thellë dhe pas përfundimit të hartimit të regjistrit kombëtar të zgjedhjeve, gjatë vitit 2009 nisi edhe shpërndarja e kartave të identitetit, ndërkohë që në mënyrë simbolike, pas muajit prill ky proces ka nisur edhe për pasaportat biometrike. Vendi vlerësohet se i ka realizuar parakushtet e tjera, ato të kontrollit të kufijve si dhe të luftës kundër korrupsionit, por shpërndarja e pasaportave biometrike, pritet të marre fund deri në fillimin e vitit të ardhshëm. Lëvizja e lirë për shqiptarët po realizohet edhe më shpejt sesa vetë premtimi elektoral i politikanit që është mandatuar edhe për një mandat tjetër në krye të kabinetit qeveritar. Nga trashëgimia e qitapeve, që lanë qeveritë socialiste, nëpër gjendjet civile, pikat e kalimit kufitar apo në listat e zgjedhësve, brenda një mandati 4-vjeçar, reforma e jashtëzakonshme po i çon shqiptarët tek pajisja me dokumentet e udhëtimit, më të sigurta në të gjithë Evropën. Në fillim u krye dixhitalizimi i krejt zyrave të gjendjeve civile në të gjithë vendin, paralelisht u modernizuan pikat e kalimit kufitar dhe u ndal njëherë e mirë trafiku i qenieve njerëzore. Më pas, sërish me vullnetin e hekur të kryeministrit Berisha, por edhe me mirëkuptimin e faktorit ndërkombëtar, u mundësua hartimi i një regjistri kombëtar zgjedhësish, i cili kaloi me 28 qershor testimin e tij më të mirë, e gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti edhe u krye shpërndarja e më shumë se 1 milionë e 400 mijë kartave të identitetit, një dokument i standardeve më të fundit. Tashmë, me marrjen e pasaportave biometrike, deri në fund të 2009, çelet rruga që shqiptarët të lëvizin pa viza në të gjithë hapësirën “Shengen”. Lëvizja e lirë e shqiptarëve gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2010 ishte njëri nga premtimet elektorale të kryeministrit Sali Berisha, por duket se ai do të përmbushet edhe me herët sesa kishte planifikuar fraza optimiste e politikanit që pritet të marrë në shtator mandatin për formimin e një kabineti të ri qeveritar.
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani: “Lëvizja pa viza në vendet e BE-së, vetëm për shtetasit që kanë pasaportë biometrike” TIRANE - Shtetasit shqiptarë që nuk do të disponojnë një pasaportë biometrike nuk do të mund të përfitojnë nga liberalizimi i vizave dhe për pasojë nuk do të mund të qarkullojnë pa to në vendet e Bashkimit Evropian. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani deklaron se procesi për pajisjen me pasaporta do të zgjasë deri në fund të vitit 2009 nëse do të ecet me të njëjtin ritëm si me atë të pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit. “Në një moment të afërt që Shqipëria do ta pushtojë vendimin për në Bashkimin Evropian, për të lëvizur qytetarët jashtë vendit pa viza, natyrisht ky do të jetë vetëm për ato shqiptarë që do të disponojnë pasaportë biometrike. Ndërsa qytetarët që nuk do të kenë pasaportë biometrike nuk do të arrin të lëvizin pa vizë. Pasaporta e re bimoetrike tashmë është e njohur me të gjitha shtetet është e njohur nga të gjitha ambasadat, është e njohur në të gjitha sistemet e kontrolli, është e njohur nga të gjitha pikat e kalimit kufitar në të gjithë Evropën. Dhe besoj që në momentin që qytetarët shqiptarë do të paraqesë një pasaportë biometrike do të jetë shumë më dinjitoz nga çdo vendi evropian”, bën të ditur Ministri i Brendshëm Bujar Nishani. Ministri Nishani tregon dhe marrëveshjen e orëve të fundit me të gjithë trupin diplomatik, për njohjen e vizave afatgjata, që një shtetas shqiptar i disponon në pasaportën aktuale. “Së bashku më Ministrinë e Jashtme kemi arritur disa hapa të tjerë të rëndësishëm, siç është transferimi i vizës, ndërrimi i pasaportave të vjetra më pasaporta biometrike, që do të thotë nëse një qytetar ka një vizë me afat të gjata në pasaportën aktuale në momentin që ai paraqitet me pasaportë biometrike konsullata e ambasadës që është në atë vend është e gatshme për të transferuar vizën që ka nga pasaporta e vjetër në atë biometrike. Është një rëndësi sepse asnjë qytetar që ka vizë të mos e humbasë”, sqaron Ministri Nishani. Pasaporta e re biometrike e prodhuar nga firma franceze “Sagem”, është një dokument me të gjitha parametrat e lartë të sigurisë. Për t’u pajisur me një pasaportë të tillë, Ministri i Brendshëm Bujar Nishani thotë se duhet ndjekur e njëjta procedurë si ajo e pajisjes me kartat e identitetit, ndërsa çmimi real i një pasaporte të re është 6 mijë lekë të reja. “Pa dyshim që është e rëndësishme për qytetarin, por në sa kohë është i lidhur me interesa direke të qytetarit shqiptar, pasja e një dokumenti të domosdoshëm, dhe premtimi i atyre që kanë pasaporta biometrike, lëvizjes jashtë, besoj se përputhet me interesin dhe domosdoshmëri dhe të rëndësishëm të këtij procesi”, përfundon Ministri Nishani.
...