Berisha: Jam i revoltuar nga zvarritja e gjyqit të Gërdecit
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me një përfaqësi të komunitetit të banorëve të Gërdecit, në bashkinë Vorë.
Në fjalën e tij kryeministri Berisha u ndal në ecurinë e procesit të gjykimit dhe u shpreh se ndjehej i hidhëruar nga zvarritja e këtij procesi.
“Ju garantoj se ka qenë jashtëzakonisht e hidhur për mua zvarritja e gjykimit. Të jeni të sigurt se jam shumë i prekur dhe i revoltuar nga kjo zvarritje. Ne e kemi ndjekur dhe jemi jashtëzakonisht të interesuar që të bëhet drejtësia. Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë që drejtësia të bëhet”, tha Kryeministri.
Gjithashtu kryeministri Berisha pasi u njoh me kërkesat e banorëve i cilësoi ato si të arsyeshme dhe i siguroi se qeveria do t`i plotësojë ato.
“Unë dua t`ju siguroj se kjo qeveri nuk do të heqë kurrë nga vëmendja mbështetjen tuaj, me të gjitha mundësitë që ka dhe këtë do t`ia transmetoni gjithsecilit banor dhe qytetar të asaj zone. Ne do të qëndrojmë pas secilit prej jush dhe do t`ju mbështesim gjer në zgjidhjet më përfundimtare”, u shpreh Kryeministri.