E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Jam kundër shtyrjes së datës së zgjedhjeve

Kryeministri Sali Berisha deklaroi të premten në mbrëmje, se “kthimi i Kodit të ri Elektoral për rishqyrtim në Kuvend, është një shans tjetër për dialog mes Edi Ramës dhe Ilir Metës dhe ky mund të ishte edhe motivi i pashpallur i këtij dekreti”. I ftuar në emisionin televiziv “Log”, prodhim i Televizionit Publik Shqiptar, Kryeministri Berisha komentoi vendimin e Presidentit të Republikës, i cili vetëm tre ditë më parë ktheu për shqyrtim në Kuvend projektligjin për Kodin e ri Elektoral. Kreu i Qeverisë shprehu besimin se “ky vendim nuk do të shkaktojë vonesa”, pasi sipas tij “parlamenti do ta shqyrtojë në kohën e duhur. Presidenti në këtë rast ka ushtruar një të drejtë kushtetuese të tij, por dua të jem i hapur dhe transparent me publikun. E ktheu me motivin se zgjedhjet duhet të dekretohen jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit, ndërkohë që nëse Presidenti e dekretonte menjëherë Kodin e ri elektoral do të ishte brenda afateve”, tha Kryeministri Berisha. Në këtë drejtim, Kryeministri vuri në dukje se “Kushtetuta prevalon dhe ajo përcakton se Presidenti i vendit është i detyruar të dekretojë zgjedhje jo më vonë se 45 ditë nga dita e fundit e mandatit të parlamentit. Ka pasur raste që ky President dhe paraardhësit e tij nuk kanë respektuar afate kushtetuese, si në rastin e zgjedhjes së Kryetarit të Gjykatës së Lartë. Presidenti mund ta kthente ligjin, por ai duhet të pranonte hapur që e ktheu për të mundësuar një ujdi mes Edi Ramës dhe Ilir Metës. Unë nuk jam kundër dhe nuk them se ky është një pseudo motiv”, tha Kryeministri Berisha. Sipas tij “pati një grevë urie të 12 deputetëve të zgjedhur nga qytetarët e Shqipërisë dhe President i Republikës kërkoi në një prononcim që të ketë dialog. Ai e riktheu edhe njëherë Kodin për të dhënë një mundësi dialogu dhe marrëveshje mes këtyre dy faktorëve. E vetmja gjë që duhet të bënte ishte transparenca, pasi mendoj se ky ishte edhe motivi i vërtetë i kthimit të Kodit elektoral në Kuvend”, tha Kryeministri Berisha. Në këtë kuadër, Kreu i Qeverisë ritheksoi edhe njëherë se “e shikon këtë çështje si një problem midis këtyre dy partive opozitare, por nuk mund të ndërhyjë pasi është i detyruar të respektojë partinë kryesore opozitare (PS)“. Në përfundim, Kryeministri Berisha u shpreh hapur kundër shtyrjes së afateve për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Fatmirësisht edhe opozita ka kërkuar të respektohet i njëjti afat dhe ne duhet ti qëndrojmë afatit Kushtetues”, tha Kryeministri Berisha.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›