E Diel, 1 Nëntor 2026

Katërkëndëshi i pacenueshëm

Pas sa prerjesh e qethjesh, nëpër troje shqiptare, Kosova në vetvete, sidoqoftë, e preku lirinë, me një territor në përngjasim me figurën e katërkëndëshit. Kjo hartë gjeometrike u përdor për simbol, m’u në qendër të flamurit të ri, në zëvendësim të shqiponjës së zezë, ndërsa ngjyra e kaltërt europiane e fushës, mbuloi të kuqen historike shqiptare. Aty përmblidhen tri përkujdesje të dukshme: shmangia e shqiponjës dykrenare dhe e të kuqes, me qëllim të dallimit të shtetit të ri, kryekëput me flamurin e Republikës së Shqipërisë, por edhe për mosnxitje të egërsisë të demit të politikës serbe. Ndërsa harta e artë, në mes, më shumë se sa të shprehë pasuritë, merr kuptimin e një vule mbi firmën e Deklaratës së Pavarësisë, domethënë, ai këtërkëndësh është territor i pacënueshëm i Republikës së Kosovës.
Për rastësi të historisë së vështirë, mbi atë hartë është vendosur e përputhur edhe një katërkëndësh politik, si asnjëherë në këtë gjysmë shekulli dhe kurrkund tjetër: Kosova e pavarur më në fund - KFOR si garantues i lirisë - Plani Ahtisari si zgjidhje kompromisi - EULEX, mision europian për rend dhe ligj.
Prishtina zyrtare, me mbështetjen e aleatëve perëndimorë, bën përpjekje të stërmundimshme të shtrijë pushtetin në të gjithë vendin, të forcojë demokracinë, të zhvillojë ekonominë, me synim të vetëm anëtarësim në NATO dhe integrim në BE, në përballje të pëndërprerë me luftën e ftohtë që Serbia, tashmë, e ka vënë në veprim, siç ajo e ka emërtuar, “Konflikt i ngrirë”.
Beogradi zyrtar bën gjithçka të zbatojë synimin e fundit - ndarjen. Për këtë po ndjek shëmbullin e Republikës Serbe të Bosnjës, duke ëndërruar një përfundim si ai pas sulmit të Rusisë kundër Gjeorgjisë. Përpjekja e parë e Serbisë, që u thjeshtua duke e cilësuar matje pulsi, ishte kërkesa e saj për t’i rikthyer forcat ushtarake në Kosovë, në mbrojtje të pakicës serbe, shpërndarë nëpër të, si një spërkatje. Kjo ide ishte mjaft dinake, edhe pse e drejtpërdrejtë. Ajo sapo u vërtetua se nuk qe matje pulsi, por këmbëngulje për arritjen e qëllimit. Serbia, ashtu, donte të futej e vërtitej nëpër këmbët e KFOR, pa u përfshirë në strukturat e tij, dhe të zgjaste të drejtën e shtetit serb në gjithë territorin e Republikës fqinjë. Kjo u zmpraps me të parën nga faktori ndërkombëtar. Por, Serbia nuk u tërhoq dhe, këtë e vërteton plani gjashtë pikësh, një miradi Ban Ki Mun - Beograd, për shtrirjen e EULEX, që siç, tanimë, është analizuar plotësisht, me neutralitetin e konceptit politik serb e kthen Kosovën te bisedimet nga e para - domethënë pa status, gjë që Serbia dhe Rusia e kanë kërkuar. Dhe, në rast dështimi, atëherë të zbatohet versioni i fundit - ndarja, e shqiptuar edhe nga presidenti Boris Tadiç. Fatkeqësisht, faktori ndërkombëtar nuk iu përgjigj Serbisë me të njëjtën fjalë si në kohën kur ajo pati synar rifutjen e forcave ushtarake në Kosovë.
Duket si pyetje e pakuptimtë, por ia vlen të bëhet:
Pse Serbia nuk duhet pyetur fare për shtrirjen e EULEX?
Sepse, EULEX vendoset në Kosovë dhe Republika e Kosovës është tjetër shtet, është shtet sovran, i njohur nga 52 shtete të botës.
Sepse, Serbia është shtet tjetër dhe EULEX nuk kapërcen asnjë milimeter në territorin e saj.
Këto dy të vërteta madhore mjaftojë për të mos i thënë Serbisë, “tungjatjeta”.
Por, ajo nuk duhet pyetur, sepse, Serbia është armiqësore ndaj Kosovës.
Sepse, Serbia nuk e njeh Kosovën e pavarur.
Sepse, Serbia keqpërdor pakicën serbe kundër shtetit të Kosovës.
Sepse, Serbia ka ngritur Luftën e Ftohtë ndaj Kosovës.
Sepse, Serbia e ka të sanksionuar në kushtetutë ripushtimin e Kosovës.
Sepse, Serbia ka qëllim ndarjen e Kosovës.
Edhe, sepse, Kosova nuk e ka kundërshtuar vendosjen e EULEX. Përkundrazi, Prishtina ka kërkuar shtrirjen e tij në të gjithë territorin, në përputhje me tre faktorë të patundshëm: Kushtetën e Kosovës; Planin Ahtisari; Deklaratën e Pavarësisë.
Vendosja e EULEX në konceptin politik serb, do ta bënte Planin Ahtisari praktikisht të vdekur, siç edhe ajo e quan dhe e do. Por, shqiptarët i kanë pranuar tri kompromise të mëdha, duhet thënë të dhimbshme, për hir të lirisë:
Kompromis me aletatët perëndimorë, në shpërblim të mbështetjes së tyre të jashtëzakonshme, në luftë e në paqë. Kompromis me Serbinë, për shkak të pakicës serbe në Kosovë dhe të fqinjësisë së mirë në të ardhmen. Kompromis të vështirë me vetveten, për pavarësisë si zgjidhje e pranueshme.
Të tri këto kompromise çuan në krijimin e një shteti shqiptaro-serb të Kosovës, edhe pse popullsia shumicë është mbi dy milionë, ndërsa ajo pakicë as 200 mijë. Kosova nuk mund të pranojë edhe kompromisin e katërt, ndarjen e saj, sepse ashtu nuk do të kishte më as Kosovë, as pavarësi, as shtet. Shqiptarët e Kosovës janë për fqinjësi të mirë, për ndryshe ata gjinden ngjashëm, si në thënien e Çurçillit: “Nuk ka rëndësi nëse humb apo fiton, fundosesh apo noton, më mirë të vdesësh se sa t’i nënshtrohesh tiranisë - dhe çfarë tiranie!!!”.
Serbia ishte “çfarë tiranie!!!”.
Ajo që duhet të ndryshojë, është Serbia. Shqiptarët ka dhjetë vjet, nga çlirimi e këtej, që japin prova të përditshme durimi e civilizimi dhe përsërisin ftesa për fqinjësi. Serbia, përveç që ende nuk ka kërkuar ndjesë, qysh prej dhjetë vitesh nuk pushon së penguari e nervozuari Kosovën.
Ndryshoni Serbinë!
Atje është problemi.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›