E Diel, 1 Nëntor 2026

Reformat e kabinetit “Berisha”, një surprizë edhe për më optimistët

Deputeti i Partisë Demokratike dhe anëtari i Komisionit të Ligjeve, Ramiz Çobaj, në një intervistë për gazetën “55” flet për tërësinë e reformave që janë ndërmarrë nga qeveria Berisha gjatë këtyre viteve. “Ne treguam se reformat nuk bëhen me demagogji, por me punë, dhe ato jane konkrete e të matshme” thotë deputeti Çobaj

Si e vlerësoni në tërësi procesin e reformimit, të ndërmarrë nga qeverisja e PD-së në këto vite?
Së pari dua t'ju falenderoj që më jepni mundësinë të shpreh opinonin tim në gazetën tuaj, e cila për shume vite, në momentet më të vështira për demokratët shqiptarë, u bë zëdhënësja dhe shpresëdhënësja e tyre. Tani përsa i përket pyetjes suaj të parë, do të doja të thoja se me ardhjen në pushtet të koalicionit të djathtë, edhe për vetë më optimistet, nuk priteshin rezultate të tilla në reformat e ndërmarra, në vetëm tre vjet qeverisje. Nëse duam te vlerësojmë drejt se cfare kemi arritur, është mirë të kthehemi prapa në kohë. Ne morem pushtetin në një kohë kur krimi i organizuar ishte ulur këmbëkryq në Shqipëri, kur krimi ordiner mbretëronte kudo, kur cdo ditë vriteshin njerëz të pafajshëm nga përleshjet mes bandave rivale, ku biznesi iu nënshtrua totalisht ligjit te xhunglës (dhe ju tashmë e dini se sa biznesmenë u vranë për "prishje" të sferave të influencës), kur korrupsioni u kthye në sistem dhe e pamoralshmja e antiligjorja shpronësuan të moralshmen dhe ligjoren, kur kolltuqet që nga shef zyre e deri në Ministër shiteshin e bliheshin sikur të ishin "pronat e babait". Pra, ne e morëm pushtetin në kohën kur pushteti ekzekutiv ishte kthyer totalisht në shërbim të individëve të vecantë, kur pushteti gjyqësor ishte vënë totalisht në shërbim të të parit dhe segmenteve të caktuara, fatkeqësisht edhe në shërbim të krimit të organizuar, ku jo rrallë herë fijet e tyre ndërthureshin keq me ato të qeverisë. Pra qeverisjes së Partisë Demokratike i binte barra e vështirë që të punonte për reformimin e tre pushteteve. Nëse pushteti legjislativ dhe ekzekutiv u morën që më 3 korrik dhe që në shtator filloi puna për reformimin e tyre, problematik u bë dhe vazhdon të jetë reformimi i pushtetit gjyqësor. Ndërsa në linjën ekzekutive, në sajë të punës së jashtzakonshme të qeverisë Berisha, rezultatet janë impresionuese, nuk mund të themi të njëjtën gjë për pushtetin gjyqësor. Në sajë të reformave të ndërmarra nga qeveria, të cilat janë shumë dimensionale, si reforma arsimore, reforma fiskale, administrative, në drejtësi etj. u bë e mundur që brenda një periudhe të shkurtër Shqipëria të firmoste marrëveshjen e stabilizim asociiimit, të merrte ftesën për në NATO, të fillojnë procedurat për liberalizimin e marrjes së vizave dhe së shpejti presim anëtarsimin e plotë në NATO, kërkesën për kandidate ne BE dhe pse jo edhe liberalizimin e plotë të lëvizjes së lirë. Në sajë të reformës arsimore u bë e mundur që të hiqej nga qarkullimi "zarfi" i famshëm ku për të vazhduar fakultetin e drejtësisë duhej të paguaje jo më pak se 7 mije Euro... Rezultatet e reformës fiskale tashmë dihen nga të gjithë, pasi të ardhurat e grumbulluara nga qeveria demokratike nuk kanë të krahasuar me ato të grumbulluara nga qeveria socialiste. Ju kujtoj se buxheti 2009 është planifikuar mbi bazën e rezultateve të arritura në këtë fushë dhe sasia e të ardhurave të planifikuara është dy herë më e lartë se ai i buxhetit 2004. Këto të ardhuira janë konvertuar në rrugë, ujësjellsa shkolla, në paga dhe pensione më të larta etj. Mjafton t'ju kujtoj se paga mesatare, krahasuar me periudhën kur erdhëm në pushtet do të rritet rreth 70 %, ose paga e mësuesit dy herë, që është njëkohësisht edhe realizim i një premtimi elektoral për këtë shtresë sociale.

Më konkretisht, si e komentoni reformën që po ndërmerret në drejtësi?
Reforma në drejtësi është e vonuar, në krahasim me reformat në fushat e tjera dhe kjo ka arsyet e veta. Nuk është e mundur të ndërmerren reforma të mëdha në fushën e drejtësisë pa pjesëmarrjen edhe të opozitës. Per hir të së vërtetës, deri kohët e fundit, konsensusi i
saj ka munguar, por tani duket sikur kjo gjë është marrë më seriozisht edhe nga ana e opozitës. Por jo rrallë herë, me pretekste nga më të cuditshmet, ngadalësohet ecuria e saj. Megjithatë nuk mund të themi se nuk kemi patur rezultate konkrete. Kështu u shqyrtua dhe kaloi me konsensus ligji mbi sistemin gjyqësor, ku edhe sipas vlerësimeve të ndërkombëtarëve, përbën një arritje të mirë në këtë fushë, kaluan me konsensus disa ndryshime në K.Penal dhe K.Pr.Penale, së fundi në komisionin e ligjeve kaloi po me konsensus edhe ligji mbi gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe gjykatën administrative. Priten edhe një sërë ligjesh të tjera, të cilat janë pjesë e një pako ligjore
për reformimin e sistemit të drejtësisë. Me i debatueshmi deri tani ka qenë projektligji për administratën gjyqësore, i cili edhe ka mbetur në vend numëro dhe nuk po ecën, për shkak të kundërshtimit të opozitës me argumente aspak bindëse. Mendoj se shkaku i vërtetë është se ai projektligj rrezikon të prishë rrethin vicioz të korrupsionit në drejtësi, rrezikon të lëvizë ujin e ndenjur të kënetës gjyqësore.

Në lidhje me reformën elektorale, cilat do të jenë risitë dhe avantazhet e sistemit
të ri elektoral?
Në Kodin Zgjedhor, si në atë që u shfuqizua, ashtu edhe në Kodin e ri, përcaktohen rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikqyrjen, si dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për në Kuvendin e Shqipërise dhe për organet e qeverisjes vendore. Kodi i ri zgjedhor, u miratua në zbatim të ndryshimeve kushtetuese, mbi bazë të të cilave, sistemi zgjedhor shqiptar ndryshoi nga një sistem i perzier maxhoritar - proporcional, në një sistem proporcional rajonal. Kjo do të thotë që nuk do te kemi më zona elektorale si më parë me nga 20-25 mijë zgjedhës, por, nëse mund të themi kështu, do kemi një zonë të madhe elektorale, që është qarku. Pra Shqipëria nga 100 zona që ishte, tashmë do jetë e ndarë në 12 zona, të cilat iu përgjigjen 12 qarqeve. Ndarja e numrit të kandidatëve do të bëhet nga KQZ dhe do ndryshojë në varësi të numrit të zgjedhësve të regjistruar në cdo qark. Numri i mandateve për cdo forcë politike apo koalicion partish do të ndahet mbi bazën e votave të grumbulluara në qark, mbi bazën e % se votave të grumbulluara, sipas një formule të caktuar, bazuar në një listë kandiddatësh, e cila do te jetë një listë e mbyllur. Në këtë pikë, do të doja të sqaroja një dicka të vogël për publikun Jo pak prej zgjedhësve shprehjen "listë e mbyllur" e kanë kuptuar si një listë që forcat politike e bëjnë të ditur vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve, ose më saktë që kjo listë përpilohet pas përfundimit të fushatës elektorale. Lista e kandidatëve nga cdo forcë apo koalicion paraqitet në KQZ përpara fillimit të fushatës, por quhet e mbyllur sepse rreshtimi i kandidatëve nuk mund te ndryshojë më, pasi ajo listë zyrtarisht administrohet nga ky organ, pra KQZ. Ka shumë kritizer qe shpejtojnë të thonë se ky është një sistem më i keq se i pari, apo të tjerë që deklarojnre se sistemi që miratuam është më i mirë. Mendimi im personal është se nuk ka sistem zgjedhor të mire apo te keq, por klasë politike të mirë apo të keqe që e zbaton atë me korrektësi, apo edhe e deformon atë. Megjithatë, paraprakisht mund të them se sistemi i ri ka disa avantazhe në krahasim me të parin sepse ndryshe nga i mëparshmi, ku vëmendja kryesore përqëndrohej tek kandidati, tani vëmendja do të përqëndrohet tek programi i forcës politike, vendin e "të fortit" në fushatë do t'a zërë partiaku I devotshëm, partitë politike do të kenë mundësi të tregojne peshën reale elektorale të tyre dhe pseudopartite me vetëm një kryetar dhe një sekretar nuk do kenë të ardhme...Por besoj që edhe ky sistem ka të metat e veta ku një ndër to mund të përmendim shkëputjen e deputetit nga baza që e ka mbështetur. Nga disa, kjo gjë shihet si anë pozitive...varet nga këndvështrimi i gjithsecilit....

Sipas jush, ndërmarrja dhe realizimi në proces e sipër i këtyre reformave, a përbëjnë një tregues të konsolidimit të vazhdueshem të shtetit demokratik në Shqipëri?
Unë mendoj se kësaj pyetje iu përgjigja në fillim kur thashë se reformat që ka ndërmarrë qeveria Berisha dhe ecuria mbresëlënëse e tyre ka bërë të mundur që shqiptareve t'u rikthehen ëndrrat e vrara. Tashme integrimi Euro-Atlantik i Shqipërise nuk ështe më një ëndërr po një realitet që po e përjetojme të gjithë. Muaji prill i vitit te ardhshëm do të jetë edhe muaji kur Shqipëria do të antarësohet me të drejta të plota. Po kështu edhe integrimi në BE nuk duket më si një vizion në shkretëtire, sepse ne tashme jemi në prag të të qenurit vend kandidat. Ndaj të njëjtin mendim me shumë të tjerë se vitit 2009 do të jetë viti i liberalizimit të plotë të vizave dhe fundi i 2009-s dhe fillimi i vitit 2010 do jetë edhe koha e fillimit të lëvizjes së lire të shqiptarëve në Europë. Lufta kundër korrupsionit dhe reformat e ndërmarra në këtë drejtim, kanë bërë që Shqipëria të mos renditet më në shkallaret e turpit ku na patën degdisur qeveritaret socialistë. Ne treguam se reformat nuk bëhen me demagogji, por me punë dhe se ato janë konkrete dhe të matshme. Meqë pak më lart përmendem korrupsionin, për të argumentuar se sa seriozisht është marrë nga qeveria lufta kundër korrupsionit, mjafton t'ju kujtoj këtu reformën në fushën e prokurimeve publike, ku në muajin janar te vitit te ardhshëm, të gjitha institucionet, edhe ato lokale, do të operojnë mbi bazën e prokurimeve publike elektronike. Pra korrupsioni luftohet me reforma, sic po bëjmë ne dhe jo me ndryshim individesh sic bënin socialistët sa herë që ndryshonin klanet në qeveri. Ne kemi besuar tek reformat dhe ato po na japin frutet e pritura, Këto rezultate, në të gjitha drejtimet, kanë bërë të mundur forcimin e institucioneve dhe të shtetit në përgjithësi. Mandati i dytë qeverisës, që besoj se shqiptarët kanë rezervuar për ne demokratët, do të bëjë të mundur që të cojmë deri ne fund reformat që kemi nisur. Askush te mos shpresojë, nuk ka kthim prapa....

A mendoni se këto reforma dhe arritjet e qeverisë Berisha po e përshpejtojnë rrugën e vendit tonë drejt integrimit euroatlantik?
Te gjitha rezultatet e arritura në integrimin euroatlantik, janë kryesisht punë e jashtezakonshme e qeverisë Berisha. Edhe opozitari më dritëshkurtër nuk guxon t'a mohojë këtë sepse do të bëhej qesharak në sytë e opinionit publik. Integrimi Euro-atlantik tashmë është një realitet dhe nga ne pritet që jo vetem ta shijojme atë, por të punojmë më shumë, në mënyrë që, për të mirën e shqiptarëve (edhe të vetë socialisteve) të marrim edhe një mandat të dytë, që reformave t'u shkohet deri në fund. Reformat e mëdha e kanë vënë në lëvizje ortekun demokrat dhe atë nuk mund t'a ndalojë tashmë askush. Unë kam
besim.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›