E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Platforma antiglobaliste e Ramës nuk ka të ardhme në vendin tonë

Kryeministri Sali Berisha u shpreh të premten në mbrëmje në një emision televiziv, se "Edi Rama nuk ka të ardhme në politikën e vendit pasi platforma ku ai bazohet është antiglobaliste". I ftuar në një emision të Televizionit Publik Shqiptar kreu i qeverisë, deklaroi se "Kryetari i opozitës po e trajton zhvillimin e vendit nga pozita fund e krye antiglobaliste. I them Edi Ramës që është një antiglobal i mirëfilltë dhe se duhet të largohet nga këto qëndrime. Kjo qeveri ka një strategji që synon shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi të vogël rajonale energjetike dhe këtë e bazojmë në faktin se ne kemi rreth 20 miliard kilovatorë ujëra për të shfrytëzuar", tha Kryeministri Berisha. Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se në një hark kohor prej 18 muajsh, Qeveria ia doli që falë edhe sektorit privat, të nënshkruajë kontrata dhe projekte për ndërtimin e 144 HEC-eve me një kapacitet të përbashkët prej 2600 megavat, ose sa dyfishi i kapaciteteve të vendit".
I pyetur se çfarë ka të përbashkët në fitoren e së djathtës në vitin '92 dhe në rikthimin në pushtet pas 8 viteve në opozitë, Kreu i Qeverisë vuri në dukje se "3 vjet më parë vendi nuk po dilte më nga një diktaturë, por kishte humbur mekanizmin e zgjedhjeve të lira".
"Para 3 vitesh në Shqipëri ishte vendosur një sistem kleptokratik ku korrupsioni ishte shndërruar në sistem. Dy gjëra varfërojnë më shumë njerëzit: tirania dhe korrupsioni. Edhe pse në vend kishin rritje ekonomike, ajo ishte përkatësi e një grupi të caktuar dhe nuk shoqërohej me rritjen e rrogave, pensioneve, ndërtimin e infrastrukturës etj", u shpreh Kryeministri Berisha.
Sipas tij, "rritja ekonomike që ishte arritur në vend përfundonte në xhepat e atyre që kishin vendosur sistemin e korrupsionit". "Raporti i Bankës Botërore i vitit 2004 thotë se 1.4 miliard dollarë përfundojnë në xhepat e zyrtarëve të korruptuar dhe evazorëve. Shqipëria ishte shndërruar në vendnumëro edhe për sa i përket procesit të integrimit", tha Kryeministri.
Gjithashtu, sipas tij "3 vjet më parë Shqipëria përjetonte sundimin e krimit të organizuar, ndër më të fuqishmin në Europë". Por, tha Kryeministri, "të gjitha këto vështirësi qeveria e djathtë i mori si sfida për ti zgjidhur dhe u zotua para shqiptarëve se reformat do të jenë alfa dhe omega e programit tonë".
Kreu i Qeverisë vlerësoi se dy ishin kushtet themelore për ndryshimin e gjendjes, "reformat dhe zbatimi i tyre dhe kjo qeveri i faktoi shqiptarëve luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar duke çmontuar bandat dhe grupet kriminale".
"Ende ekziston krimi i organizuar por po bëhet një luftë e vendosur kundër tij dhe trafikut. Statistikat e vendit fqinj e dëshmojnë qartë se Shqipëria tani është një nga vendet më të sigurta dhe ka treguesit e vendeve të BE-së. Dihet se ende ka korrupsion por sot nuk ka zyrtarë shqiptarë me monopole", u shpreh Kryeministri Berisha.
Sipas tij "Qeveria ka ndërmarrë reforma për parandalimin e korrupsionit dhe është e vendosur ta ndëshkojë atë pavarësisht nga ngjyrat partiake".
Duke folur me gjuhën e shifrave, Kryeministri Berisha theksoi se "në 3 vite janë kursyer 4 miliard dollarë të cilat janë konvertuar në rritje rrogash e pensionesh, dyfishim të buxhetit për arsimin etj".
"4 miliard dollarë kanë shndërruar Shqipërinë në një kantier ndërtimi. Infrastruktura ka qenë një nga objektivat më madhore të kësaj qeverisje", tha Kryeministri Berisha duke theksuar këtu projektin madhor për gjithë shqiptarët, rrugën Durrës-Kukës-Morinë.
Kryeministri Berisha vlerësoi gjithashtu ecurinë e perocesve integruese në vend dhe theksoi se "anëtarësimi në NATO është parajsa e sigurisë, ndërsa integrimi në BE është një parajsë tregu për këtë vend, por edhe shpresë për një zhvillim të shpejtë". Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se "procesi elektoral që po zhvillohet brenda PD-së, përveç ripërtëritjes së strukturave dhe prurjeve të mëdha në parti, ka si detyrë edhe hartimin e një programi të dytë qeverisës për vendin i cili ndodhet përballë sfidave të reja".
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›