E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Janë pseudofakte, çojini në prokurori

Kryeministri reagon ashpër ndaj kreut të grupit parlamentar socialist. “Po pengoni vizat”

Kryeministri Sali Berisha i konsideroi dje si pseudofakte kartat që paraqiti përgjatë seancës plenare kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. Duke iu përgjigjur akuzave të Ruçit, se kartat e identitetit janë falsifikuar për t’u lejuar disa personave të votojnë më shumë se njëherë, Kryeministri deklaroi se Parlamenti nuk mund të ishte një vend ku mund të demonstroheshin çfarëdo kartash. Sipas Berishës, opozita duhet t’i çonte të gjitha provat që mund të kishte në prokurori, sepse atje ishte vendi ku mund të vlerësohej vërtetësia e tyre. “Ruçi nxori karta. A ishin patenta apo ishin nga ato kartat e sigurisë kur shkon në konferenca, apo ishin falsifikimeve të kartave të identitetit. E ftoj Ruçin të paraqitet në prokurori dhe jo në Parlament”, ironizoi Kryeministri. Sipas tij, ai kishte marrë sinjal se këto karta të paraqitura nga Ruçi i përkisnin një kazinoje. Por, Kryeministri Berisha theksoi se opozita duhet t’i çonte këto karta në prokurori, sepse në të kundërt ekspozimi i tyre në sallën e Parlamentit mund të ishte edhe një qëllim i mbrapshtë i saj për të penguar procesin e liberalizimit të vizave. “Pseudo-faktet në një kohë kur Shqipëria pret liberalizimin e vizave mund të kenë një qëllim të mbrapshtë, për ta nxirë një sistem identifikimi që është model në Europë”, komentoi Berisha. Sipas tij, është e lehtë ta bësh këtë veprim kur ke pasaportë diplomatike në xhep, por është një ngjarje e rëndë kur shikon që me qindra mijëra shqiptarë e presin me padurim këtë proces. “Ju me të drejtë thoni se pse iu hoqën më shpejt vizat Serbisë apo Maqedonisë. Po zotërinj, iu hoqën sepse në kohën kur atje arrestohej Legia, në Lushnjë bënte ligjin Aldo Bare. Kur atje ndërmerreshin reforma, Nehat Kulla bënte ligjin në gjysmën e Tiranës”, tha Berisha. Nga ana tjetër, ai e akuzoi opozitën se kishte gjashtë muaj që po ngujohej në kuti dhe nuk ishte e sinqertë as përpara elektoratit të vet në lidhje me qëllimet e vërteta të projektligjeve të paraqitura në Parlament. “Ju jeni Parti Socialiste dhe jo e Ruzhdies”, bëri thirrje Berisha. Kreu i qeverisë, në seancën parlamentare theksoi gjithashtu se ai kishte informacion se PS-ja kishte përgatitur skenarë si ai i Ruzhdies edhe në vende të tjera, kur demokratët kishin shumicën e elektoratit. “Skenarë kishit përgatitur për të përsëritur Ruzhdien në Tiranë, por nuk u bindën komisionerët tuaj dhe prandaj ata nuk u zhvilluan”, nënvizoi Kryeministri. Nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se ai vazhdonte t’i bënte thirrje opozitës, të përkushtohej në Parlament për projektet që ajo kishte paraqitur, në mënyrë që për ato të arrihej rezultati i duhur. Sipas Berishës, atë nuk e trembnin protestat që po planifikonte opozita, sepse ishte një protestues natyral, i cili mund ta ndante eksperiencën e tij edhe me PS-në. “Më ftoni edhe mua në protestat tuaja, për të kuptuar se si bëhen ato”, u shpreh me ironi Kryeministri. Sipas tij, Parlamenti ishte rruga e vetme që socialistët duhet të ndiqnin për të pasur sukses në kërkesat e tyre dhe për të kontribuar në zhvillimet demokratike të vendit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›