E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat Daçiç dhe Pajaziti shmangin shtrëngimin e duarve

Për herë të parë takohen në konferencën rajonale të kufijve në Shqipëri

Për herë të parë, ministri i Brendshëm serb dhe homologu i tij kosovar kanë qenë të pranishëm në një takim, por kanë shmangur “shtrëngimin e duarve” mes njëri-tjetrit. Ky takim ka ndodhur në konferencën e shtatë ministrore mbi bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe kufijve në Europën Juglindore, që organizohet në Shqipëri. Deri në momentet e fundit nuk dihej nëse ky takim do të realizohej apo jo nga ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili është njëkohësisht zëvendëskryeministër, si dhe pasardhësi i Sllobodan Millosheviç. Megjithatë, ai ka pranuar ftesën e ministrit të Brendshëm shqiptar, Lulzim Basha, duke e ditur se në këtë konferencë rajonale për sigurinë e kufijve do të ishte edhe ministri i Kosovës, Zenun Pajaziti.

Sipas të dhënave, deri në momentin e fillimit të konferencës, mes Pajazitit dhe Daçiç, nuk ka pasur asnjë takim tjetër, pavarësisht se të dyja palët e dinin që ishin akomoduar pranë hotel “Sheraton”.
Pjesëmarrja e tyre ka ardhur me fillimin e konferencës, por ata janë shmangur dhe madje janë ruajtur distanca në vendosjen e tyre gjatë takimit. Gjatë ditës së djeshme, media u lejua që të qëndronte në takim vetëm gjatë fjalës përshëndetëse të Kryeministrit Berisha dhe ambasadorit spanjoll në Shqipëri, Montobio. Pas kësaj, përfaqësuesit e Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë, Kroacisë dhe Sllovenisë kanë pasur një pushim kafeje. Gjatë këtij pushimi nuk ka pasur asnjë kontakt mes ministrit të Brendshëm të Kosovës dhe atij të Serbisë. Ata kanë pasur vetëm shkëmbime shikimi, por asnjë fjalë. Ndërsa ditën e sotme do të komentojnë zhvillimet e konferencës, ku nuk dihet nëse do të ketë ndonjë reagim, pasi deri në këto momente gjithçka ka shkuar sipas protokollit.

Sipas programit zyrtar nga Ministria e Brendshme, konferenca e shtatë ministrore mbi bashkëpunimin në fushën e sigurisë së kufijve në Europën Juglindore, kryesohet nga Lulzim Basha, Ivica Daçiç dhe ambasadori dr. Theodor H. Winkler, drejtor i DCAF. Zëvendëskryeministri serb, Ivica Daçiç, rreth dy muaj më parë ka deklaruar se kërcënimi më i madh për Beogradin është pavarësia e njëanshme e Kosovës. Duke folur për situatën e sigurisë në Kosovë, ai ka theksuar se ajo është e ngarkuar me dhunën ndëretnike. Dikur bashkëpunëtor i ngushtë i diktatorit Sllobodan Millosheviç, Daçiç është shprehur në muajin janar se jugu i Serbisë është në rrezik nga ata që ai i ka quajtur “terroristët shqiptarë”.

Në hapjen e konferencës për sigurinë e kufijve, Kryeministri Berisha nënvizoi se çështja e kufijve është detyrim madhor dhe përgjegjësi e qeverisë ndaj qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, Berisha u shpreh se ky proces kërkon angazhim më të madh nga të gjitha vendet e rajonit, për të dëshmuar para aleatëve europianë se këto vende janë të gatshme të luftojnë krimin e organizuar. “Para disa kohësh, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia përfituan nga procesi i liberalizimit të vizave, Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina janë në prag të këtij liberalizimi. Natyrisht ky zhvillim rrit përgjegjësinë tonë ndaj partnerëve tanë në Europë. Një luftë e përbashkët e krimit të organizuar. Siguria e kufijve është në përgjegjësinë tonë më të madhe”, u shpreh kreu i qeverisë. Berisha e vuri theksin në angazhimin e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe në miratimin e ligjeve të rëndësishme që, siç tha ai, kanë ulur ndjeshëm numrin e krimeve në vend. “Forcat e rendit dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, me një vendosmëri e profesionalizëm të lartë, në një hark kohor 18-mujor çmontuan mbi 206 grupe e organizata kriminale, ndaluan, identifikuan, arrestuan, vendosën para ligjit rreth 1000 anëtarë dhe drejtues të këtyre organizatave. Lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar funksionoi. Zero toleranca është shtylla kryesore mbi të cilën duhet të zbatohet lufta ndaj krimit”, theksoi Kryeministri Berisha. Ndërkaq, Berisha solli ndërmend edhe memorandumin e skafeve, që siç tha ai, i dha fund trafikut të qenieve njerëzore drejt Italisë. Në konferencën e ministrave të Brendshëm të Ballkanit Perëndimor ka qenë pjesëmarrës edhe ambasadori spanjoll në Shqipëri, Manuel Montobio, i cili e ka cilësuar një arritje të Ballkanit Perëndimor mbajtjen e kësaj konference, ku në thelb trajtohet bashkëpunimi i këtyre vendeve për të luftuar krimin e organizuar, trafikun ndërshtetëror etj. Sipas ambasadorit spanjoll, bashkëpunimi mes vendeve të rajonit duhet të jetë më i sigurt dhe këtë siguri duhet ta arrijnë vendet e rajonit, ndërsa BE-ja, nga ana e saj, do të mbështesë të gjitha iniciativat për integrim të këtyre vendeve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›