Optimizëm politik për përfundimin e reformës zgjedhore para prillit
Unë e shoh me optimizëm dhe në realizim të plotë reformën zgjedhore brenda afate të paracaktuara. Kështu është shprehur kreu i qeverisë Sali Berisha, duke vënë theksin te bashkëpunimi luajal me opozitën për të arritur në një zgjidhje konkrete dhe që t’i shërbejë përfaqësimit dinjitoz në Shqipëri. Kryeministri Berisha deklaroi, mazhoranca dhe opozita nuk kanë dallime substanciale, por edhe po të ketë, aktorët politikë mbeten të pregatitur për kompromis. Berisha u shpreh optimist për ecurinë e reformës zgjedhore, si dhe garantoi se do të ketë mirëkuptim të plotë për kërkesat e opozitës. “Jam optimist sepse dy partitë e mëdha dhe partitë e tjera janë të vendosura për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Opozita pretendon kartat e identitetit dhe ka plotësisht të drejtë, ky është edhe pretendimi ynë. Pasaportat, listat elektronike, anti-dushku, pra jemi të bashkuar të gjithë në këto, të më pyesni mua se ku ndahemi, të jem i sinqertë, nuk e di”, vuri në dukje Kryeministri Berisha. Ndërkaq, duke u shprehur plotësisht i hapur edhe për një takim me kreun e PS-së, Kryeministri Berisha vuri në dukje se “në çështjet e zgjedhjeve, opozita ka qenë, është dhe do të mbetet një nga zërat më kryesorë”. “Unë e shoh me shumë optimizëm reformën dhe realizimin e saj. Nuk kam dëgjuar as edhe një kërkesë të formuluar jashtë standardit nga forcat politike opozitare, apo të tjerat. Kështu që unë ulem në sensin e mirëkuptimit, pasi të njëjtat gjëra kemi edhe ne, pra nuk kemi shumë dallime me njëri tjetrin”, deklaroi Kryeministri Berisha. Më tej, po duke iu referuar sistemit zgjedhor, Shefi i ekzekutivit u shpreh se “duhet të përcaktohet një sistem elektoral për të cilin të bien dakord të gjitha palët”. Sipas tij, nuk është se PD nuk ka propozime, sikundër PD është e gatshme të dëgjojë propozime. “Në vlerësimin tim, reforma zgjedhore do të kalojë pa asnjë lloj tensioni, sepse janë përcaktuar disa kushte nga të gjitha palët, kushte që janë në interesin e të gjitha palëve”, deklaroi Berisha. Në përfundim, Berisha u shpreh edhe njëherë optimist për realizimin e reformës zgjedhore, duke garantuar kompromis me opozitën, në mënyrë që sistemi i ri elektoral të ketë efektivitet të plotë dhe të luajë një rol dinjitoz në aspektin e përfaqësimit politik në vend dhe në një mënyrë plotësisht koherente të plotësohet një standard i përcaktuar nga ndërkombëtarët për fatet e vendit ndaj procesit të anëtarësimit në NATO, gjatë samitit të aleancës në Bukuresht.
LSI kundër marrëveshjeve PD-PS. Prifti: Kanë prodhuar procese të kontestuara/Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar dje se sistemi zgjedhor i tipit proporcional-rajonal me lista të mbyllura, për të cilën ka shprehu pëlqim PS, nuk mund të adaptohen në kodin tonë elektoral, pasi ka një sërë problemesh përshtatjeje dhe vuan mungesën e transparencës. Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Dritan Prifti, theksoi dje, se LSI do të vazhdojë të kontribuojë me angazhim politik e qytetar për të garantuar një reformë zgjedhore demokratike dhe transparente, që të sjellë standarde të reja të respektit të votës së qytetarëve dhe të forcojë legjitimitetin e institucioneve qeverisëse. Gjatë një konference për shtyp, Prifti u shpreh se çdo takim mes forcave të caktuara politike është pozitiv, por eksperienca e 17 vjetëve të fundit ka treguar se marrëveshjet PD-PS, sidomos ato për reformën zgjedhore, nuk kanë sjellë standarde të reja demokratike në Shqipëri. Duke shprehur shqetësimin për vonesat e vazhdueshme me reformën zgjedhore, Prifti vuri në dukje se “kjo reformë është detyrimi më i madh për marrjen e ftesës së Shqipërisë për në NATO, në muajin Prill”. “Shprehja e vullnetit politik deklarativ, akoma nuk ka gjetur reflektim dhe konkretizim në veprimtarinë parlamentare dhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore, i cili e ka paralizuar aktivitetin e tij prej kohësh”, tha Prifti. Sipas tij, askush nuk po punon për ndërtimin e infrastrukturës apo standardeve të domosdoshme për zgjedhje të pakontestueshme, të lira dhe të ndershme. Duke u ndalur te çështja e sistemit zgjedhor, Prifti theksoi se kërkohet një reformë elektorale që eliminon trafikun e votave nga një forcë politike në një forcë tjetër politike, që nuk ka mbështetje elektorale. “Pra jemi për eleminimin e Dushkut dhe të çdo lloj mënyre tjetër të deformimit të vullnetit të elektoratit shqiptar. Gjithashtu LSI mbështet një reformë zgjedhore parlamentare të bërë nga parlamenti dhe jo nga sallat apo tavolinat e fshehta”, theksoi Prifti. Në këtë drejtim, Prifti u shpreh kundër një sistemi proporcional-rajonal me lista të mbyllura (sistemi spanjoll), pasi sipas tij, “listat e mbyllura kanë probleme në Shqipëri dhe nuk janë transparente”. “Kjo do të bënte që kryetarët e partive të hynin në tender, që për të pasur emrin në listën emërore duhet të paguash më shumë. Kurse ne jemi për një sistem sa më të ndershëm, ne jemi për atë sistem ku mund të vendosë qytetari për kandidatin dhe jo kryetari i partisë se kush do jetë deputeti i ardhshëm i partisë”, shtoi më tej Prifti.