E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Jemi në momentin më kritik të Shqipërisë në 35 vitet e fundit

TIRANË, 10 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në fjalën e tij në protestën e tretë kombëtare të organizuar nga opozita, e cilësoi situatën politike në vend si më kritiken në 35 vitet e fundit.

Berisha bëri një paralelizëm mes regjimit komunist dhe qeverisjes aktuale, duke theksuar se historia nuk duhet harruar. Ai shtoi se Shqipëria po përjeton pasoja edhe më të rënda se në të shkuarën.

“Ndoshta jemi mbledhur në kryengritjen tonë paqësore në momentin më kritik të Shqipërisë në 35 vitet e fundit. Ata që harrojnë të shkuarën, janë të dënuar ta përsërisin atë. Ja ku jemi këtu, një det i madh luftëtarësh, guximtarësh, njerëz që janë të vendosur t’i dalin për zot Shqipërisë. Shqipëria është një vend i bekuar prej pasurive përrallore që Zoti i ka dhuruar asaj. Kurrë ne nuk duhet të harrojmë shekullin që lamë pas, diktaturën hoxhiste të Enver Hoxhës, krimet shtazore që ajo kreu ndaj shqiptarëve, vrasjet, persekutimet, pushkatimet, kampet e përqendrimit, policinë sekrete famëkeqe.

“Nëse shekullin e kaluar Shqipëria u mbajt peng 45 vite, këtë shekull, në një kohë me një shpejtësi krejt tjetër Shqipëria po përballet me pasoja akoma më katastrofike. Prej 13 viteve të fundit, pasoja që gërryejnë, rrënojnë çdo ditë vetë ekzistencën e shqiptarëve si banorë të saj”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij Berisha theksoi sërish se zgjedhjet e 11 majit ishin farsë zgjedhore, ndërsa shtoi se këto pretendime mbështeten, sipas tij, nga rezoluta ndërkombëtare.

“Kemi çdo dokument që fakton farsën zgjedhore të 11 majit. E kemi quajtur narkoshtet, sepse i tillë është. Kemi 7 rezoluta ku partitë kryesore që drejtojnë sot në Evropë dhe në botë pajtohen me këtë fakt”, tha ai.

Berisha u ndal edhe tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Belinda Ballukun, ku tha se u përdor pushteti ekzekutiv për bllokimin e Prokurorisë dhe u bë presion ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Në fjalimin e tij para protestuesve, Berisha falënderoi pjesëmarrësit për rezistencën dhe revoltën sipas tij të treguar në protestat e mëparshme, të cilat kanë dërguar një mesazh të qartë brenda dhe jashtë vendit.

“Revolta juaj në protestën e kaluar dha një sinjal të qartë brenda dhe jashtë vendit se ne nuk do të tolerojmë kurrë grushtin e shtetit”, tha Berisha, ndërsa shtoi se çdo përpjekje e re për grusht shteti do të dështojë.

Berisha theksoi se muaji shkurt ka një simbolikë të veçantë për opozitën dhe protestuesit.

“Shkurti është muaji kur ne zvarritëm diktatorin, shkurti është muaji kur ne do çlirojmë Shqipërinë. Revolta juaj është sot zëri i ndërgjegjes qytetare, zëri i dinjitetit qytetar, zëri i ndërgjegjes kombëtare, zëri i dinjitetit kombëtar”, tha Berisha.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›