Protesta e PD, Balla: Drejtësia t’i bëjë shembull ata që godasin punonjësit e policisë

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot në lidhje me protestën e tretë kombëtare të organizuar nga opozita.
Balla tha se në këtë protestë u sulmuan punonjësit e policisë dhe institucionet, sipas tij “ndoshta për të fshehur me tym e flakë dështimin e tyre”.
“Gjithmonë do të ekzistojë liria për të protestuar në Shqipërinë tonë. Por sa kohë ligji e thotë qartësisht, nuk duhet të ekzistojë liria për të goditur apo keqtrajtuar ata që kanë zgjedhur për të shërbyer në mbrojtje të sigurisë së qytetarëve”, tha Balla.
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, theksoi se “duhet t’i mbrojmë ata që na mbrojnë dhe duhet të kujdesemi për ata që shërbejnë për sigurinë e qytetarëve”.
“Kjo është ajo që bën një shtet i drejtë dhe normal. Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë, ndërsa drejtësia t’i bëjë shembull ata që godasin punonjësit e policisë”, vijoi Balla.
Në fund të reagimit, Balla tha se policia i ka shërbyer dhe i shërben me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve, ndërsa përplaset çdo ditë me kriminelë e keqbërës.
“Policia ka derdhur gjak, në emër të misionit dhe betimit të saj. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit”, cilësoi Balla.
Në protestën e tretë kombëtare të thirrur nga opozita protestuesit hodhën sërish molotovë dhe fishekzjarre në drejtim të Kryeministrisë. Më pas, protestuesit të shoqëruar edhe nga deputetë të PD-së, u zhvendosën para godinës së Parlamentit ku patën përplasje me Policinë.
/e.i/a.f/r.e/