E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Jetike një reformë e dytë në drejtësi

TIRANË, 22 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se qeverisja e ardhshme, nëse PD do të fitojë zgjedhjet, do të përgatisë një draft për heqjen e një kompetence, sipas tij, antikushtetuese që SPAK ka aktualisht.

Berisha theksoi se do të largohen prokurorët që flenë mbi dosjet e krimit si dhe shtoi se nuk do të ketë ndjekje politike nga ana e SPAK. Sipas Berishës është jetike një reformë e dytë në drejtësi me Komisionin e Venecias.

“Një kompetencë e SPAK është antikushtetuese, është ajo e përgjimit të gjykatësve me të cilën kjo prokuroi çon dosje. Kjo është një gjë e tmerrshme, është një diktaturë policeske dhe asgjësim i sistemit. E dyta, asnjë ngushtim përsa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por pastrim i plotë i atyre që flenë mbi dosjet e krimit. E treta, asnjë proces politik nuk do të ketë gjatë qeverisjes së PD. Këto reforma do të bëhen me ndihmën e Komisionit të Venecias. Është jetike një reformë e dytë në drejtësi me Komisionin e Venecias. Qytetarët presin deri në 15 vite për drejtësi. Ju e patë dialogun Bushka-Llagani, “duhet t’i kemi në dorë ata”, thoshte. E kuptoni çfarë pazaresh kafeje me puro bënin zonjat”, u shpreh Berisha në një intervistë për mediet.

Berisha foli edhe për përgatitjet e opozitës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Berisha tha se sheh entuziazëm te shqiptarët e diasporës dhe ata brenda vendit.

“Kam gjetur entuziazëm te shqiptarët jashtë atdheut, atmosferë që nuk e shihja prej 1990”, tha Berisha.

“Unë do ta cilësoja këtë atmosferë të pashembullt që nga 1992, të tillë atmosferë shpërthyese, optimizëm dhe entuziazëm që kam gjetur të shqiptarët jashtë vendit dhe qytetarët e Shkodrës së fundit që nuk i kam përjetuar që prej 1992”, shtoi Berisha.

Sa i takon procesit të primareve, Berisha tha se procesi ishte konsultues me anëtarësinë e PD dhe në përgjithësi preferencat e tyre janë marrë parasysh në përpilimin e listave të kandidatëve për 11 majin.

“Bëmë shumë mirë që i bëmë Primaret sepse u pyetën anëtarët për preferencat e tyre dhe në përgjithësi u morën parasysh. Primare që zhvillohet brenda partisë janë një konsultë. Kokçarja dhe pakënaqësi ka pasur por në tërësi në listat e mbyllura, me përjashtime të vogla, janë vendosur më të votuarit”, tha ai.

Berisha u ndal edhe tek Jorida Tabaku dhe Dhurata Çupi, dy emra të cilat nuk u përfshinë në listat e mbyllura të PD, duke sqaruar edhe vendimin e marrë.

“Tabaku është në lisë të hapur sepse 4 vendet gra në listën e Tiranës janë Ex Officio, Jozefina Topalli, Albana Vokshi, zonja Xhixho që caktohet nga PL dhe Mesila Doda që caktohet nga PDIU. Tabaku dhe Çupi janë zonja me kontribute të jashtëzakonshme”, tha Berisha.

Berisha tha më tej se nuk ka nisur lobimin për heqjen “non grata” pasi pret të kryhen ndryshimet në administratën e re amerikane.

Berisha përgënjeshtroi lajmet për një udhëtim drejt SHBA, ai tha se nuk ka asgjë të re në këtë moment.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›