Tirana pret Komitetin e Politikës së Jashtme të Internacionales Socialiste, Rama: Misioni ynë, të çojmë Shqipërinë në BE

Komiteti i Politikës së Jashtme të Internacionales Socialiste dhe partive simotra europiane është mbledhur në Tiranë. Kryeministri Edi Rama theksoi përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ndërsa shtoi se, qeveria është e angazhuar për të mbyllur negociatat deri në vitin 2027.
Kryeministri gjithashtu foli për sfidat që ka pasur vendi, duke përmendur refuzimet e Shqipërisë nga Këshilli i Evropës dhe duke e konsideruar këtë si një mundësi të madhe për të përfunduar një proces të vështirë dhe për të realizuar ambicien e integrimit në BE.
“Tirana ka bërë një rrugë të gjatë për të ardhur këtu ku është sot, është mjaft e gjallë dhe një kryeqytet që ndryshon dita ditës dhe po bëhet një medaljon krenarie për të gjithë ne. Ne presim një fushatë mjaft tërheqëse zgjedhorë për të marrë mandatin e 4 dhe për të përmbushur misionin për ta çuar Shqipërinë në BE dhe për ti dhënë fund një historie të gjatë diskriminimi. Jemi bekuar që kemi lindur në zemër të Europës por kemi qenë të mallkuar pasi kemi qenë të shkëputur dhe izoluar nga Evropa për një kohë të gjatë. Është koha jonë, shansi ynë, mundësia jonë e madhe për ta përfunduar këtë punë dhe për të nxjerrë maksimumin e këtij shansi të jashtëzakonshëm. Jemi refuzuar tre herë nga KiE për shkak të një vendi apo dy. Kemi punuar fort ndërkohë që prisnim që negociatat të ecnin përpara. Kemi një objektiv mjaft ambicioz për të mbyllur negociatat në 2027. Ajo çfarë shoh është se mund të hyjmë në BE tani, për të mos humbur asnjë sekondë të vetme në këtë proces që është mjaft i vështirë me shumë detyra shtëpie. Kemi bërë diçka mjaft të dobishme”, tha Rama.
Theksi u vu edhe te sistemi i drejtësisë në vend, ku Rama u shpreh se duke pastruar sistemin qeveria ka transferuar “shpatën e ndëshkimit” nga pushteti ekzekutiv te ai gjyqësor. Ai theksoi se është një moment historik dhe revolucionar për Shqipërinë që ka parë njerëz të fuqishëm të lidhur me politikën të dalin para drejtësisë.
“Po luftojmë kundër të gjitha shanseve kur vjen fjala për barazinë para ligjit. Është e dhimbshme që për herë të parë në historinë tonë të shtetit që në 1912, kur shpallëm pavarësinë, shohim njerëz të fuqishëm të lidhur me shtetin politik, qeveri apo në opozitë, që japin llogari para prokurorëve të pavarur. Nuk mund t’jua fsheh që në pikëpamjen njerëzore nuk është gjëja më e mirë të shohësh njerëz që i njeh për një kohë të gjatë që çohen përpara drejtësisë për t’u përgjigjur për gjëra të ndryshme. Dhe duke qenë se janë të pafajshëm derisa të provohen fajtorë, këto janë procese që kërkojnë kohën e tyre. Ajo që është e re në Shqipëri, dhe mjaft revolucionare, është që kemi pastruar procesin e drejtësisë përmes një procesi verifikimi dhe kemi dorëzuar shpatën e ndëshkimit nga pushteti ekzekutiv te pushteti gjyqësor. Natyrisht që kjo po ndihmon shumë”, tha kryeministri.
/rtsh.al/