E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Bumçi: Si do të hetojnë 100 prokurorët

Grupi i prokurorëve nuk dëmton komisionin hetimor

Grupi prej 100 prokurorësh, të cilët mazhoranca i ofron si zgjidhje të ngërçit politik, si mënyra më e përshtatshme për hetimin e 28 qershorit, nuk zbeh aspak punën e komisionit parlamentar. Përkundrazi, prokurorët si përfaqësues të organit të akuzës kanë të drejtë të hetojnë në bazë të fakteve të mbledhura nga komisioni kuvendor. Por prokurorët nuk mund të nisin hetimet, nëse nuk kanë një provë paraprake për shkelje të ligjit dhe këto prova duhet ti paraqesë opozita siç ajo vetë pretendon. Sipas deputetit demokrat, Aldo Bumçi, këtë funksion do të kryejë pikërisht grupi prej 100 prokurorësh. Hetimi përmes prokurorëve do të marrë mandatin e institucionit të Parlamentit, për ti hapur rrugën hetimit të shpejtë dhe të saktë të procesit zgjedhor të 28 qershorit. Z. Bumçi konfirmoi dje se këtij grupi prokurorësh do ti jepet mandat të hetojë për procesin e 28 qershorit dhe Parlamenti do të ofrojë gjithë mbështetjen e nevojshme për këtë proces. Deputeti i PD-së vuri në dukje se prokuroria si organ hetimor ka të drejtë të hyjë në themel të çdo çështjeje. Ne, - tha ai, - po i japim mandatin 100 prokurorëve, pra organit të akuzës që të hetojë të gjitha çështjet që lidhen me zgjedhjet. Përveçse akuzave që mund të bëjnë palët, prokuroria mund të hetojë edhe kryesisht. Kjo ekziston për çështje ordinere dhe për çdo çështje që prokuroria mendon se ka një element për të hetuar. Atëherë, këtu i gjithë Parlamenti, shumicë dhe pakicë, i jep një mbështetje organit të prokurorisë, duke përkrahur me mjete financiare dhe me çdo mjet tjetër të nevojshëm që një numër i konsiderueshëm prokurorësh, rreth 100, ti dedikohen hetimit të zgjedhjeve dhe të hetojnë zgjedhjet në detaje në të gjitha zonat, - tha z. Bumçi. Sipas deputetit Bumçi, grupi i prokurorëve nuk pengon punën e komisionit hetimor parlamentar. Për këtë, ai pohoi se çështja e 100 prokurorëve është një zgjidhje alternative që nuk e pengon komisionin hetimor. Nëse komisioni hetimor merret me çështjen a i është bërë presion administratës, nëse komisioni hetimor merret me financimin e partive politike, merret me përdorimin e medias, të gjitha këto janë çështje që i heton komisioni hetimor, jo prokuroria. Dy ditë më parë, Kryeministri Sali Berisha publikoi variantin e qeverisë për opozitën, duke propozuar 100 prokurorë për të hetuar zgjedhjet, për çdo provë që arrin të sigurojë komisioni hetimor. Ndërsa opozita përgatitet për protesta, sipas Kryeministrit, kjo është e vetmja zgjidhje për kompromis, me qëllim dhënien fund të ngërçit politik. Berisha sqaroi opozitën: "Propozimi im për angazhimin e 100 prokurorëve me mandat të plotë për transparencë në çdo qelizë, skutë, proces, fletë votimi të procesit zgjedhor, angazhimi i një buxheti të mjaftueshëm për të përmbushur plotësisht këtë detyrë, mendoj se është zgjidhja totale e problemit në rast se kërkohet transparenca". Socialistët i kërkuan Kryeministrit Berisha të dalë me një propozim të tij pak ditë më parë, me qëllim kapërcimin e situatës së krijuar prej bojkotit të opozitës në kuvend. Nga ana e tij, z. Berisha bëri të qartë se prokurorët nuk mund të nisin hetimet nëse nuk kanë një provë paraprake për shkelje të ligjit. Refuzimi i tyre dëshmon se ka vetëm zero fakte. Ka zero fakte, sepse prokurori funksionon mbi bazën e fakteve konkrete.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›