Arrestohet fierakja, transportonte 200 gr heroinë në Greqi
Një grua 34-vjeçare nga Fieri është ndaluar dje nga policia në Stacionin Kufitar të Kakavijes, ndërsa me automjetin ku udhëtonte me djalin 10-vjeçar po transportonte edhe një sasi droge në drejtim të Greqisë. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë Rajonale të Kufirit në Gjirokastër, efektivët e Policisë Kufitare në Kakavije gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Hyndai”, me targa greke YHO 4924, që drejtohej nga 34-vjeçaria Aurela Doksani, lindur dhe banuese në Fier dhe që kishte si destinacion Greqinë kanë zbuluar një sasi droge. “Gjatë kontrollit rutinë të makinës, poshtë sediljes së pasagjerit, në një çantë dore ne gjetëm një pako të rrumbullakët, të mbështjellë me letër natriban, ku brenda saj kishte 200 gramë lëndë narkotike të llojit heroinë”, thonë burimet policore. Në automjet ndodhej edhe djali 10-vjeçar i shoferes së mjetit. Pas zbulimit të ngarkesës me drogë, efektivat e kufirit në Kakavije në bashkëpunim me kolegët e antidrogës së Gjirokastrës kanë bërë shoqërimin e 34-vjeçares Doksani. Sipas grupit hetimor, prej vitesh ajo jetonte si emigrante në Athinë, ndërkohë që ishte kthyer për të kaluar pushimet verore në Shqipëri. “Sasia e këndës narkotike të gjetur në automjet kishte si destinacion tregun grek”,- thonë burime në grupin hetimor. Mbështetur mbi provat e mbledhura, policia e Gjirokastrës ka bërë ndalimin e A. Doksanit për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Gjithashtu nga policia janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe lënda narkotike, si dhe tre aparate celularë. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe ndalimin e personave të tjerë, të cilët mund të jenë përfshirë në këtë rast të trafikut të lëndëve narkotike në drejtim të Greqisë.