Amendamentet në “Censusin 2011”, shmangin mundësinë e abuzimit me kombësinë

PDIU, reagon pas deklaratave të Vangjel Dules
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet reagoi dje ndaj deklaratave të kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule, i cili u shpreh se amendamentet në regjistrimin e popullsisë përbëjnë abuzim me të drejtën e minoritetit. Sipas PDIU-së, deklaratat e përsëritura të Vangjel Dules, përbëjnë një dëshirë për të abuzuar me procesin e regjistrimit, pasi ky qëndrim synon që deklarimi individual të mos kontrollohet. “Ne i themi zotit Dule se sot askush nuk duhet të ketë frikë të deklarojë përkatësinë e vet etnike të vërtetë, si në kohën e Enver Hoxhës, por ky vetë deklarim duhet të bëhet mbi baza objektive. Vetëm vetë deklarimi mbi themele objektive si afirmim i identitetit etnik në fushën e gjuhës, kulturës, etj është e drejtë kushtetuese, dhe asgjë tjetër. Vetë deklarim do të thotë që të deklarosh lirshëm atë që je objektivisht dhe jo të deklarosh çfarë të duash përfshi këtu të pavërteta. Amendamentet e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në thelb heqin mundësinë e abuzimit me regjistrimin e popullsisë. Edhe në rast se Komisioni Qendror i Censusit do të vendosi në kundërshtim me vullnetin e shoqërisë shqiptare, që të përfshijë pyetje mbi kombësinë, statistikat që do të rezultojnë nuk do të preken nga abuzimet e mundshme. Kjo pasi amendamentet e PDIU-së detyrojnë INSTAT-in që jo vetëm të hetojë çdo deklaratë për kombësinë, por edhe ti ballafaqojë ato me regjistrin për gjendjen civile. Kështu, nëse dikush gënjen për kombësinë e tij, në pyetësor, INSTAT do të jetë i detyruar që të përfshijë në statistikat zyrtare të dhënat e sakta, pra ato që gjenden në regjistrin kombëtar të gjendjes civile dhe do të gjobisë personin abuzues. Këto amendamente të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet nuk kanë pse të shqetësojnë askënd, as përfaqësuesit e minoritetit, as qytetarët shqiptarë. Këto amendamente duhet të shqetësojnë vetëm ata që shpresonin të ngrinin fantazmën e të ashtuquajturit “Vorio Epir” me anë të regjistrimit, duke bërë vetë deklarime nëpërmjet pensioneve dhe parave të thata në dorë. Një shoqëri demokratike nuk mund t’i pranojë këto fenomene, prandaj amendamentet e PDIU-së, të cilat duket se kanë shqetësuar jo vëllezërit tanë minoritarë, por persona që dëshirojnë të luajnë politikisht me ndjenjat e tyre, përbëjnë një gur themeli në demokratizimin e shoqërisë shqiptare”- thuhet në reagimin e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Njëkohësisht, PDIU përshëndet deklaratën e z. Dule se “regjistrimi me vetë deklarim përbën të vetmin instrument bashkëkohor në shtetin e së drejtës ... që garantojnë koherencë sociale për çdo vend”- dhe e përforcojmë këtë thirrje drejt të vetmit shtet që nuk njeh minoritetet, që është shteti grek”. “Suksesi i arritur, duke hequr mundësinë e abuzimit me këtë Census, përbën një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur, që është ndalimi i këtij lloj Censusi. PDIU do të bëjë çmos që Censusi të mos bëhet mbi baza etnike dhe fetare, por kjo është në kompetencë të Komisionit Qendror të Censusit, mbi të cilin do të ushtrohet presioni i nevojshëm pozitiv që të mos fus pyetje mbi etninë dhe fenë, të cilat në mendimin tonë janë në kundërshtim me interesat e qytetarëve, kombit dhe shtetit shqiptar”- vijon më tej deklarata e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
...