Berisha: Jo vetëm mposhtje e Edi Ramës, por edhe kthimin e Tiranës tek qytetari
Sondazhet e Aleancës për Qytetarin flasin për një fitore të thellë në shumicën e njësive të qeverisjes vendore. Premtohet një fushatë për qytetarin, por shpallet si ambicie edhe çlirimi i kryeqytetit nga stanjacioni 11 vjeçar ku e ka marrë peng Edvini.
Kryeministri Sali Berisha deklaroi mbrëmë në intervistën televizive në “Opinion”, të gazetarit Blendi Fevziu, se Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin” do fitojnë bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të 8 majit. Zotimi i kryeministrit lidhet me faktin se z.Basha vjen në këto zgjedhje si kandidati më natyral, i cili njeh mirë problematikën e qytetit dhe qytetarëve dhe se qëllimi është që t’i jepet Tiranës njeriu më i përkushtuar dhe vizionar, i perspektivës Evropiane të kryeqendrës së Shqipërisë. Berisha tha se te kryetari i ri i bashkisë, Lulzim Basha, qytetarët do gjejnë ambicien dhe perspektivën e një personaliteti protagonist, për Tiranën Evropiane, e cila duhet t’i shëmbëllejë rrugëtimit integrues të Shqipërisë. “Unë dua të garantoj që qëllimi i kandidimit të Bashës për kryetar Bashkie të Tiranës është vendimi im për t’i dhënë Tiranës njeriun më të përkushtuar, njeriun më me vizion, për ta nxjerrë Tiranën nga stanjacioni i saj disavjeçar. Nuk është vetëm disfata e kundërshtarit qëllimi ynë, por edhe t’i japim Tiranës atë që meriton. Në mënyrën më absolute PD-ja, Lulzim Basha dhe Sali Berisha, kanë vetëm një qëllim të bëjnë për Tiranën atë që meriton Tirana” - u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë solli në vëmendje se Tirana është shumë larg kryeqendrave simotra të saj.
“A ngjason ky kryeqytet i vendit në një pozicion gjeografik më të bukurit në Evropë dhe botë, me kryeqytetet e vendeve evropiane që shqiptarët vizitojnë? Jo. Prandaj, ne shkojmë në 8 maj për të ndryshuar Tiranën. Shqiptarët sot lëvizin dhe kanë të drejtën legjitime të krahasojnë. Çfarë kemi në Tiranë sot? Tirana sot është së paku 3 herë më e banuar më shumë se sa kishte në vitin ‘90-të. Çfarë ka ndryshuar për ët hedhur një hap drejt standardeve Evropiane? Nuk flas për gjëra estetike dhe bukuri. Jo. Më të rëndësishme janë rrugët, infrastruktura. Nëse dilni jashtë akseve kryesore të këtij qyteti, rrugicat janë në gjendje të mjerueshme. Me transportin, ky është i vetmi kryeqytet në Evropë pa transport. Linjat e urbanëve iu grisin qytetarëve abonetë. Ato nuk janë linja. Mënyra më e shkëlqyer për transportin publik është partneriteti me interesin publik. Tirana nuk e pranoi kompaninë më të madhe nga Kopenhageni për rregullimin e trafikut. Cila është Tirana kulturore? Nëse ti qytetar i lënë me këtë infrastrukturë mjerave dhe del në një shesh ku ke bërë viza dhe thua se ke bërë rrugë, kjo është e papranueshme se vetëm 100 metra më tutje gjen mjerimin e infrastrukturës. Tirana është i vetmi kryeqytet pa një park lojërash për fëmijët. Ndryshimet janë thelbësore. Nuk mund të krahason ndërtimet në Farkë me batërdinë e Tiranës. Në kryeqytet nuk ekziston një zonë industriale. Sepse nuk ekziston preokupimi më minimal i kryetarit të Bashkisë. Tregu është gjeneratori i punësimit”- u shpreh kryeministri Berisha.
Sipas kryeministrit, aktualisht Tirana është në një gjendje mjerane. Kthimi i gjelbërimit është premtimi i Berishës për t’i kthyer jetën qytetarëve të Tiranës. “Ne do të fillojmë me çdo kusht konceptin jetik vetjak të çdo qytetari për mjedisin në shtëpinë e tij. Tirana renditet sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, si qyteti më i ndotur në Evropë. Kjo ndotje i kushton qytetarëve të Tiranës 1 vit e gjysmë jetë më pak. Mjedisi kudo dhe në çdo vend gjykohet mbi bazën e standardeve. Tirana ka trafikun më katastrofik. Çdo qytet ka një orë mbingarkese, si p.sh kur qytetarët shkojnë dhe kthehen nga puna, ndërsa Tirana është gjithë kohën e paralizuar. A mund të pranohet që kryeqyteti të ketë atë pamje të tmerrshme, të mbushur me tym dhe pluhur? Ne, për sistemimin e plehrave ndërtuam land-filldin në periferi, por bashkia nuk transporton plehrat atje, i derdh në lumë. Ka mbushur lumin me plehra. Ai lumë mund t’i shndërrohet Tiranës në një mirësi mjedisore dhe jo të bëhet mbartës i mbeturinave”- theksoi kryeministri duke e konsideruar alarmante ndotjen e kryeqytetit. Berisha theksoi se në këto zgjedhje z.Basha ka ardhur si kandidati natyral. “Në 2007-ën primare ka qenë rruga e kombit. Në 2011-ën z.Basha ka ardhur si kandidati natyral”- tha kryeministri duke shtuar se “përveç emrit të z.Basha, që prej zgjedhjeve të 2009-ës nuk ka patur në mendje asnjë kandidaturë tjetër, përveç ish ministrit të Jashtëm dhe të Brendshëm. Berisha vlerësoi figurën e Bashës në krye të diplomacisë shqiptare, duke e konsideruar atë si ministrin më të suksesshëm të qeverisë “Berisha”. “Me personalitetin që krijoi me ministrat kryesorë të vendeve të NATO-s, me sekretarin e Përgjithshëm, me të cilin fliste vazhdimisht në gjuhën e nënës së tij në ‘flandisht’. Z.Basha ka kontributin e tij personal në arritjen madhore të vendit në kuadër të integrimit në NATO dhe ndërtimit të korridorit të kombit. Pas zgjedhjeve të 2009-ës, z.Basha mori një tjetër përgjegjësi, atë të liberalizimit të vizave. Vizat janë në tërësi vendim i ministrave të Brendshëm. Në një seri takimesh Basha luajti një rol konstruktiv për të bindur kolegët e tij në vendimin më suksesshëm që Evropa ka ndërmarrë ndonjëherë për Shqipërinë: “Lëvizjen pa viza”. Tani iu ngarkua Tirana”- tha kryeministri.