Rikonstruksioni i Edi Ramës, shkatërrim i trotuareve
Farsa e përurimeve të rrugëve nga kryebashkiaku në ikje i Tiranës
Edhe pse segmenti kryesor në Komunën e Parisit kishte vërtetë nevojë për një rikonstruksion të plotë dhe modern, ajo që bëri bashkia e Tiranës brenda 4 ditëve është e paprecedentë. Rruga afro 2 km e gjatë, u përfundua për 4 ditë, por rikonstruksioni i saj nuk ishte gjë tjetër veçse një procesim i standardit mediokër të bashkisë, “asfalt mbi asfalt” dhe “zhdukje të trotuareve”.
Pikërisht kjo ka ndodhur në segmentin kryesor të Komunës së Parisit, në rrugën “Medar Shtylla”. Jo më larg se pardje Edi Rama u paraqit në këtë zonë, me petkun e shpëtimtarit apo të njeriut punëtor, edhe pse kjo lagje për vite të tëra është lënë në mëshirë të fatit, saqë gjatë gjithë historisë së saj, që prej krijimit, vetëm është përmbytur në pak minuta shi. Problem ky madhor që në shumtën e rasteve ka çuar në protestën e banorëve, protestë e cila është injoruar nga Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj Edi Rama. Komuna e Parisit vuan probleme të shumta. Ndotja e ambientit dhe betonizimi i çdo hapësire publike, duke e kthyer në pallat shumë katesh, mungesa e parkingjeve si dhe e kopshteve për fëmijët, ka çuar në pakënaqësi në banorëve, teksa edhe rikonstruksioni i rrugës kryesore nuk është gjë tjetër veçse një “projekt në prag të fushate” që ndërtohet në emergjencë e sipër, jashtë çdo standardi dhe pa cilësi, pasi ndërtimi i saj u bë sipas parimit të dashur të Edi Ramës, “asfalt mbi asfalt”, jetëgjatësia e së cilës nuk është më shumë se disa muaj.
Përveç këtij financimi të brishtë dhe të padobishëm, Edi Rama i ka kryer një tjetër shërbim negativ komunitetit. Trotuaret janë thuajse inekzistente, duke i ngushtuar ato gjithnjë e më shumë, ndërsa iu ka dhënë prioritet bizneseve dhe tregtarëve ambulantë të cilët shtrihen gjatë gjithë gjatësisë dhe gjerësisë së trotuarit.