E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: KE nuk është dakord në asnjë nga ndryshimet e bëra nga Edi Rama

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nga ambientet e SPAK, ku ishte për zbatimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për dosjen “Partizani”, sulmoi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale duke kritikuar ndikimin që ato do të kenë mbi hetimet dhe kufizimet që sjell për median. Në të njëjtën kohë, akuzoi SPAK se po hesht përballë këtyre ndryshimeve, madje akuzoi për një marrëveshje mes kryeministrit Edi Rama, SPAK dhe Dhomës së Avokatisë në dëm të qytetarëve.

“Organi i parë që duhej të reagonte është ky organ, i cili ndaj një ligji të tillë në mënyrën më të turpshme heshti si fija e barit. Ndërkohë, unë u informova nga Strasburgu se Këshilli i Evropës nuk është absolutisht dakord në asnjë nga ndryshimet e bëra nga Edi Rama. Nuk ka dhënë asnjë miratim për këto ndryshime dhe këtë ia ka bërë të qartë Edi Ramës. Heshtja e tyre nënkupton se këta janë pjesë e komplotit që i bëhet këtij vendi për të shkatërruar hetuesinë tani që në skenë erdhi Edi Rama me hajdutët e tij.

Pra, heshtja e tyre tregon se kemi të bëjmë me një marrëveshje midis tyre dhe Edi Ramës, unë gjithnjë u kam deklaruar ju se ky është një seksion i shpifur i PS. A mundet institucioni qendror i akuzës, siç është SPAK-u për zyrtarët, të heshtë para ligjit, i cili paralizon hetimin? A mundet një institucioni i drejtësisë të heshtë para ligjit që rikthen censurën e diktaturës? Që përjashton mediat nga misioni i tyre i informimit të publikut. A mundet një institucion i vërtetë i akuzës të heshtë para faktit se do të detyrohet t’ia çojë provat për të miratuar gjykatësi, pa bërë gjykimin, që e shndërron gjykatësin në hetues në një akt të pashembullt?

A mundet tani të gjobitet çdo qytetar shqiptar që do të ftohet për të bërë një sqarim, për të bërë një dëshmi, duhet të paguajë edhe avokatin, të ketë avokatin me vete? A është kjo një marrëveshje midis kreut të Meduzës, Padrinos dhe Dhomës së Avokatisë, këtë unë nuk e di, por ka shumë dyshime. Pra kemi të bëjmë me këtë heshtje, me një marrëveshje trelaterale, Padrino-SKAP-Dhomë Avokatie” tha Berisha.

Qëllimin e këtyre ndryshimeve ligjore, kreu demokrat e sheh si një përpjekje për të shpëtuar kryeministrin Rama nga provat që ekzistojnë kundër tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›