E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Kapitull i ri midis shqiptarëve dhe serbëve

“Për herë të parë në historinë mijëravjeçare të këtij kombi, e drejta shqiptare bëhet e drejtë botërore, e drejta e shqiptarëve ngrihet në piedestalin më të lartë të të drejtës së njerëzimit. Kjo përbën një arritje që pak vite më parë, askush nuk mund ta imagjinonte. Kjo nuk ka ndodhur se ne, shqiptarët, jemi një komb i preferuar. Në tërësi, ne kemi qenë një komb jetim, pa miq, ose me shumë pak miq. Kjo nuk ka ndodhur as edhe për të ndëshkuar palën që e kërkoi. Por kjo ndodhi për të bërë të drejtën”, tha Berisha.

Më tej, kryeministri shqiptar tha se Gjykata ka gjykuar pavarësinë në raport me ligjin ndërkombëtar dhe e nxjerr plotësisht legale; pavarësinë në raport me rezolutën e Këshillit të Sigurimit për Kosovën dhe e nxjerr plotësisht të pajtueshme; pavarësinë në raport me kornizën kushtetuese të vendosur nga autoritetet ndërkombëtare në Kosovës dhe e nxjerr plotësisht të pajtueshme.

“E vërteta është se nuk ishin shqiptarët që e paraqitën çështjen në Gjykatë. Shqiptarët shpallën pavarësinë në të drejtën e tyre. Ata u paditën, por u paditën, në përputhje me ligjin dhe rregullin ndërkombëtar nga Serbia, e cila shfrytëzoi edhe ajo të drejtat ndërkombëtare. Unë shpresoj dhe besoj se pala paditëse do t’i përmbahet vendimit të Gjykatës, në interesin më të mirë të paqes dhe stabilitetin në rajon. Ky verdikt nuk mundej kurrsesi që të ndalonte një realitet të pandalshëm, të parikthyeshëm. Natyrisht, të jemi të hapur, ky verdikt ka hequr çdo barrierë interpretative të këtij akti madhor, siç është pavarësia e Kosovës”, u shpreh më tej.

Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se qeveria e Shqipërisë angazhohet për një kapitull të ri midis shqiptarëve dhe serbëve.

“Ndaj edhe një herë, duke shprehur vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të punuar me seriozitet të madh, me angazhim për një kapitull të ri në marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve, marrëdhënie, të cilat do mund të kontribuonin shumë në stabilitetin paqen e prosperitetin e rajonit, ne mbetemi të angazhuar të punojmë në këtë drejtim, mbetemi të angazhuar të inkurajojmë autoritetet e Kosovës për përpjekje serioze, për normalizim marrëdhëniesh me Beogradin. Drejtësia u bë dhe në këtë kontekst, palët kanë detyrimin të nxjerrin të gjitha konkluzionet dhe të përpiqen që ta shndërrojnë atë në një vendim, me kontribut të madh në paqen e rajonit tonë”, vijoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›