Berisha: Katër vitet e ardhshme, vitet e punësimit masiv
Takim elektoral entuziast i PD-së në lagjen “Kombinat” të kryeqytetit. Kryeministri: “Hedhim themelet e Tiranës së shekullit të ri. Do të heqim për 5 vjet taksat për investitorët e huaj”
“Një mandat për punësimin më masiv që ka njohur vendi”. Për këtë mision e ka kërkuar votën e banorëve të Kombinatit, kryeministri Sali Berisha, ndërsa ka prezantuar dhe kandidatin që do të përfaqësojë zërin dhe interesat e tyre në parlament, Edi Paloka. Berisha theksoi se forca e tij politike vjen me një plan të qartë punësimi për kryeqytetasit, ku parqet logjistike, rehabilitimi i lumit të Lanës dhe ndërtimi i bulevardit, padyshim edhe projekti TAP priten të jenë gjeneratorët kryesorë të mijëra vendeve të reja të punës. “Do marrim së shpejti statusin kandidat, do punojmë për liberalizimin e vizave me SHBA. Ne jemi të vendosur të bëjmë shumë më tepër, për punësimin tuaj, rritja e mirëqenies tuaj janë objektivat më madhorë, më absolute, jemi të vendosur që katërvjeçarin e ardhshëm ta shndërrojmë në katërvjeçarin e punësimit më masiv të Shqipërisë. Vijmë tek ju me një plan konkret punësimi, vetëm dy parqet logjistike që po ndërtohen krijojnë 30 mijë vende të reja pune. Qeveria ka miratuar kredinë prej 60 milionë euro për ndërtimin e bulevardit dhe sistemimin e lumit të Tiranës ku do punësohen me mijëra e mijëra qytetarë të Tiranës. Zoti kryetar i Bashkisë zotohem me solemnitet se do financoj shtrimin e çdo rruge dhe rrugice të kryeqytetit brenda dy viteve të ardhshme. Jemi të gatshëm të katërfishojmë grantin dhe kredinë sovrane për bashkinë e Tiranës. Ne jemi të vendosur të ulim më tej taksat, kjo është nxitje e madhe për bizneset, për investime shumë më të mëdha. Investimet e huaja, të cilat ishin 4.2 miliard dollarë katër vitet që shkuan do të shkojë së paku në 6 miliard dollarë. TAP dhe gazifikimi i Shqipërisë krijojnë mbi 15 000 vende pune. Ne do punësojmë shqiptarët. Ne do përgjysmojmë taksat për industrinë turistike, do heqim taksat për turizmin malor. Ne do punësojmë qytetarët shqiptarë, sepse ne do marrim statusin e vendit kandidat, do hapim negociatat dhe kjo do jetë pasaporta e dytë, që do sjellë në vend qindra milionë investime private, ashtu dhe nga KE. Ne do bëjmë gjithçka që katër vitet që vijnë gjigantët e teknologjisë më të lartë dhe industrisë së makinave të zbarkojnë në Tiranë dhe ne do heqim taksat për 5 vjet për ta, që ju të mësoni teknologjitë më të mira”- tha ai.
Berisha ka vlerësuar punën e kreut të bashkisë së Tiranës, duke risjellë në vëmendje të qytetarëve modelin e paraardhësit të tij. “Në Tiranë kryetari i larguar i Bashkisë fondet e trefishuara të qeverisë me destinacion rrugët, rrugicat, kanalizimet, ujësjellësit, i shndërroi në rroga për partinë”- deklaroi Kryeministri.
Në pozicionin si rival të tij kryesor për garën e 23 qershorit, Berisha e sheh Ramën si një lider i një partie pa alternativë, përpos sharjeve dhe mashtrimeve, e duke mbetur këtu ai ka një porosi për shqiptarët: “Cila është alternative tjetër? Alternativa e sharjeve kolektive, fyerjeve kolektive më të papranueshme, por qytetarët shqiptarë dinë t’i hedhin në kazan sharjet dhe fyerjet e tij. Por kujdes me taksat se ato janë mashtrimi i tij më i madh. Nga sheshi në shesh kalon duke mashtruar se sot në Shqipëri, Kryeministri paguan taksa më pak se polici, deputeti më pak se mësuesi, këto janë gënjeshtra të trasha. Deputeti paguan taksa katër herë më shumë se infermierja se rroga e tij është katër herë më e lartë se infermierja. Taksa që ofron shoku i autobusit është taksa e urrejtjes që vendosi shkatërrimtari Karl Maksi, është taksa që vendosi në ’46 Spiro Kolekës”- theksoi kryeministri.
Nën premtimin për rroga dhe pensione më të larta, lideri i mazhorancës ka ftuar banorët e Kombinatit të votojnë 44 për fitoren e PD, fitoren e së ardhmes së tyre. “Këto kanë qenë vitet e rritjes më të madhe të rrogave dhe pensioneve, ju jap fjalën se rrogat dhe pensionet do vazhdojnë të rriten dy herë më shumë se çmimet, rroga e 13 do të vendoset me ligj. Ju ftoj që me 23 qershor të votoni për fitoren, të votoni 44, të votoni për punësimin, mirëqenien, integrimin tuaj në Europë, fitoren e shkëlqyer të PD, fitoren e së ardhmes, fitoren e Shqipërisë” - përfundoi Berisha.