Rama: Të sëmurët e shëruar në 8 vjet, do i rikthejmë në spital

Anullimi i gjithçkaje dhe rikthimi në gjendjen fillestare, mundësisht në gjendjen bolshevike të para vitit 1990 po paraqitet si alternativa kryesore e opozitës së majtë, të drejtuar nga brezi i dytë i bllokmenëve. Rritja e taksave, rrënimi i reformës së sigurimeve shëndetësore dhe shtetëzimi i pronave janë tezat publike të Edi Ramës, të cilat po shqiptohen kudo, si pjesë e trimërimit të nomenklaturës komuniste, që sheh ëndrra me revolucione të vonuara dhe me kolektivizimin e gjithçkaje
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e quan sektorin e shëndetësisë të falimentuar dhe të kancerizuar. Në çdo kënd fjale apo miting në qytete, Edi Rama përsërit një ngjarje gjoja të përjetuar në një spital ku një grua nuk kishe para për t’i blerë burrit ilaçe kundër kancerit. Ajo grua është e njëjta që shfaqet në një spot elektoral të PS që nuk ka lek për të blerë ilaçe dhe çarçafë. Ilaçi i Edi Ramës për këto padrejtësi është zhbërja e sistemit të ndërtuar në 20 vjet demokraci, duke e kthyer sistemin shëndetësor në logjikën centralizuese me eksperimente të sistemit kontributiv. Egoarku Rama sulmon sistemin e kontributeve dhe premton shëndetësi falas për të gjithë, madje 800 milion dollarë në vit që parashikon buxheti për spitalet, aparatura të reja, mjekët, infermierët, punonjësit e shëndetit, sipas tij, do të jenë më pak edhe pse shërbimi do të jetë i gjithë gratis. Pyetjes se ku do të gjejë paratë për shëndetësinë falas pa kontribute nuk i jep përgjigje, as faturë financiare. Në fakt, kjo logjikë e Ramës fyen personelin e shërbimit shëndetësor, infermierët dhe mjekët duke e cilësuar sistemin e shëndetësisë të “kancerizuar” që ka nevojë për amputime buxhetore sepse përballja me çdo lloj sëmundje apo patologji duhet të kryet në kushte optimale, pa tronditje të mbështetjes morale dhe financiare. Ndërkaq sistemi shëndetësor aktualisht është në një fazë ndryshimi thelbësor, ku janë marrë reformat të jashtëzakonshme. E vërteta është se Shqipëria po aplikon një sistem miks, me 25% që kontribuohet nga popullsia aktive dhe 75% nga kontributet shëndetësore për popullsinë joaktive. Me këtë sistem sot mbulohen të gjitha shtresat, ato që kanë dhe nuk kanë të ardhura. Padyshim sot nuk gjendet asnjë person që nuk mbulohet me shërbim shëndetësor shqiptar. Që një sistem shëndetësor të jetë funksional e i suksesshëm, në thelb e në objektivin primar, duhet të ketë aksesin në këtë sistem nga qytetari, seriozitetin, modernizimin, mirëmenaxhimin e një kuadër ligjor, kuptohet korrekt, që ta bëjë të funksionojë si duhet. Këto janë reforma tepër të guximshme, që e kanë ndryshuar faqen e sistemit dhe e kanë futur në ato linja që duhet të jetë. Të ndryshosh nga e para sepse nuk të pëlqen është një evolucion regresiv. Edi Rama shprehet se do të ketë shëndetësi falas për të gjithë, por kjo nuk do të thotë asgjë, pasi të gjithë qytetarët mbulohen me shërbim shëndetësor. Sigurisht, prioriteti i kryeministrit Berisha për të liberalizuar edhe shërbimin e shëndetësor, duke zhvilluar edhe sektorit privat ka qenë një hap pozitiv në uljen e mitmarrjes në shëndetësi, pasi ka më shumë alternativa sa se sektori publik, duke rritur konkurrueshmërinë si në të gjitha fushat e tjera. Rritja e efektivitetit dhe bashkëpunimit e partneriteti publik-privat është binomi perfekt për pasur një sistem shëndetësor më të mirë. Ndërsa alternativa e zhdukjes së privatit duke kthyer centralizmin e spitaleve shtetërore dhe heqja e kontributeve është një zhbërje e punës 20 vjeçare dhe ofrimi i një sistemi eksperimental më shumë të panjohura. Sigurisht, performanca publike e Edi Ramës në këndet e fjalës nuk japin siguri përmirësimi. Përkundrazi “këndet e fjalës” të Edi Ramës janë shfaqje të vërteta të çekuilibrit emocional, ku sundon rrjedhja psikike pafund derisa shkatërrohet kundërshtari politik apo sistemi. Ngritjen e zërit, batutat e pavend, kërkesat e ashpra për qytetarët që ti bëjnë pyetjet e fiksuara me parë dhe ndryshimi i qëndrimeve janë sinjalizuese për destabilitetin mendor të pretendentit për kryeministër Edi Rama. Sipas tij, të sëmurët e shëruar në 8 vjet duhet t’i rikthejmë në spitale për t’i kuruar edhe një herë.