E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantohen kandidatët e PD-së në Gramsh: “Qeveria ka një plan konkret për punësimin”

07-06-2013 / Gazeta 55

Berisha: Mandatin e ardhshëm, rritje rrogash e pensionesh dhe rikthim i pagës së 13-të

Kryeministri Sali Berisha ka argumentuar dje nga Gramshi, investimet e qeverisë jo vetëm në këtë zonë, por në të gjithë Qarkun e Elbasanit. Por në të njëjtën kohë duke kundërshtuar kështu dhe deklaratat e një ditë më parë të kreut të PS-së Edi Rama, sipas të cilave në këto zona nuk është shtruar as dhe 1 kilometër rrugë. “Jam këtu për tu zotuar para jush, se katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për punësimin tuaj dhe rroga më të mira. Ne kemi një plan konkret për punësimin e qytetarëve të Gramshit, komunave të tij dhe shqiptarëve. Plani ynë bazohet në vazhdimin e ndërtimit të infrastrukturës më moderne. Ne kemi ndërtuar në Gramsh dhjetëra e dhjetëra kilometra rrugë në komuna, në qytete dhe kudo. Zotimi im solemn është se, katër vitet që vijnë nga Tomorrica, Sulova në të gjitha anët e këtij rrethi do të asfaltohet çdo rrugë, do të rindërtohet çdo shkollë, çdo kanalizimin, ujësjellësa dhe ne do tu japim juve infrastrukturën e lagjeve të qyteteve. Katër vitet që vijnë do të ndërtohet dhe rindërtohet çdo shkollë, çdo ujësjellës dhe do të trefishohen financimet për fermerët e Gramshit. Katër vitet që vijnë, Gramshi shndërrohet në epiqendër të madhe punësimi pasi filluan punimet nga gjigandi i botës për ndërtimin e Hidrocentraleve Statkraf i Norvegjisë, për kaskadën e Devollit. Por përveç kaskadës së Devollit janë 14 hidrocentrale të tjera, gjashtë nga të cilat në lumin e Kukurit dhe lumenjtë e tjerë  dhe burime ujore të Gramshit”- u shpreh Berisha. “Alternativa jonë, tha Berisha, bazohet në garantimin e rrugës sonë të sigurt, për anëtarësinë në BE. Ndërsa, vijoi ai, alternativa tjetër, është ajo e bllokimit, mohimit shpifjeve dhe trillimit. “Do t’u bëj thirrje qytetarëve të Gramshit demokratë, socialistë, e të paparti, cili ishte mesazhi që i dërgoi Edi Rama nga ky shesh kompanisë gjigante njëshit në botë për ndërtimin e HEC SHTATCRAFT kur deklaroi se Berisha po u tregon përralla me HEC. SHTATCRAFT është kompania më serioze e botës në ndërtimin e hidrocentraleve, qesharak bëhet ai që e quan përrallë projektin e tij vendimin e tij për të ndërtuar HEC-in e Devollit, për të investuar 1 mld euro për të punësuar qindra e qindra qytetarë nga Gramshi”, u shpreh Berisha. Gjithashtu, një përgjigje duhej të merrte Rama sipas tij, nga drejtuesit e pushtetit vendor në Gramsh dhe nga qytetarët dhe për pretendimet se mungon infrastruktura rrugore. “Demokratë, socialistë, të paparti sa e vërtetë është ajo që deklaroi këtu shoku i autobusit. I bëj thirrjeve krerëve të komunave ta ftojnë drejtuesin e autobusit mavi të ecë në rrugët e reja. Në këtë bashki që qeverisët nga socialistët kemi ndërtuar shkolla, po ndërtojmë kudo dhe pa dallime partiake”, sqaroi Berisha. Por fjala e kreu të qeverisë përveç apelit për të mbështetur me votë Partinë Demokratike u mbyll me një angazhim për rritje rrogash e pensionesh, e shoqëruar kjo dhe me dhënien e rrogës së 13. “Do rrisim rrogat dhe pensionet dy herë më shumë se çmimet. Jam këtu për t’u premtuar punonjësve të administratës pavarësisht nga rritja e përvitshme nga fundi i këtij viti do të merret rroga e trembëdhjetë për ta nga Partia Demokratike”, u shpreh Kryeministri. Ndërsa rritja e rrogave e pensioneve erdhi e shoqëruar dhe me masën sesa do të shkojë kjo rritje. “Mësuesit do të marrin 18 rroga më shumë se merrte në vitin 2005. Një mjek do të marrë 22 rroga, ashtu si dhe fermeret do të marrin 12 pensione me shume se ne vitin 2005. Më 23 qershor votoni për punësimin tuaj, për shndërrimin e burimeve ujore te Gramshit në energji, punësim për Gramshin dhe Shqipërinë, votoni për integrimin e Gramshit, Elbasanit, e Shqipërisë në BE, votoni 44, votoni PD”, vuri në dukje Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›