E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Socialistët në protestë, në rast se Saliu prek votën

Rama kishte një apel edhe për Policinë e Shtetit: “Kam një apel për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, por edhe të Tiranës, që të qëndrojnë në krye të detyrës dhe për asnjë çast të mos ndryshojnë uniformën blu të shtetit me atë të pushtetit”

TIRANË Kryetari i opozitës Edi Rama u ka bërë thirrje socialistëve të Tiranës, që të reagojnë në rast se do të ketë tentativë gjatë natës, për të bllokuar procesin nga ana e mazhorancës. Në prezantimin që ai i bëri kryetarit të ri të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, Rama bëri thirrje për mbrojtje të votës së lirë. “Do të ketë ditë për të folur, për ç’ka ka ndodhur me Tiranën dhe për këtë që po ndodh përditë, një shfaqje e shëmtuar që u kujton shqiptarëve një film të parë në vitin 1996. Që po luhet fatkeqësisht në kryeqytetin e vendit, por fatmirësisht pa fuqinë për të transformuar vullnetin e banorëve të kryeqytetit. U them të gjithë qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të jenë të gatshëm për të reaguar si qytetarë, në rrugën demokratike që reagon populli sovran, në mbrojtje të votës së tyre, në rast se kjo do të lypet në orët në vijim dhe në rast se Saliu nuk do të tërhiqet nga orkestrimi i kësaj shfaqje të turpshme dhe të patolerueshme. Një orkestrim, që lejomëni t’ju them, njësoj si ato presionet dhe shantazhet në kohë fushate, tregon në fakt vetëm një gjë, që Saliu më mirë nga të gjithë e di se çfarë ka në ato kuti. Se po të dinte që kishte aty brenda fitoren, jo vetëm që nuk do të sillej kështu dhe do të turrte forca me uniformë apo pa uniformë për të marrë peng qendrat e numërimit. Por përkundrazi do të ishte i buzëqeshur si qengj, siç ai vetë i di rastet kur gjërat shkojnë mirë”, - tha Rama. Një mesazh, kryetari i opozitës e kishte edhe për forcat e policisë, teksa prezantoi një tjetër kryetar bashkie, atë të Sarandës, Stefan Cipa. “Dua të nënvizoj ndërkohë që ka rënë nata, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjithë në Tiranë të fokusohen tek procesi dhe të ndjekin këtë proces dhe ndër të gjithë, Saliu të bëjë kujdesin e duhur, që mos të trashë zullumin që ka hedhur një hije të rëndë mbi procesin, por nga ana tjetër të mos mundë kurrë të cenojë rezultatin e Bashkisë së Tiranës, qoftë atë për kandidatët, qoftë për këshilltarët bashkiak. Kam një apel për drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, por edhe të Tiranës, që të qëndrojnë në krye të detyrës dhe për asnjë çast të mos ndryshojnë uniformën blu të shtetit me atë të pushtetit”, tha ai. Rama shtoi se, fitorja në të gjithë Shqipërinë dhe në Tiranë është e PS-së. “Të jeni të sigurt që duke na e bërë më të vështirë nxjerrjen e asaj fitoreje nga kutitë, na e bëjnë fitoren edhe më të bukur”, - tha ai. Po mbrëmë, Rama prezantoi një tjetër kryebashkiak, kësaj here femër, atë të Patosit, Rajmonda Balilaj. “Komplimentet e mia të gjithë qytetarëve të Patosit që zgjodhën një grua për t”i drejtuar”, - tha ai. Rama përshëndeti fitoren edhe në Berat, Fier, Lushnjë dhe Vlorë, pavarësisht se vetëm për këtë të fundit dje doli edhe rezultati përfundimtar. Duke deklaruar se gjerdani i fitoreve të PS-së është në rritje, Rama tha se ai do t’i verë kapakun me fitoren e Tiranës. “Fitoren tonë në Tiranë nuk e luan topi. Festën duhet t’ia lëmë votës së fundit. Më lejoni që ta mbyll me një fitore që nuk ka pasur asgjë të papritur, por që ka gjithmonë një shije të këndshme, fitorja e Gjikës në Vlorë”, - shtoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›