E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kemi klimë të favorshme për biznesin

Përballë një krize botërore ekonomiko-financiare stimuli më i mirë që mund të jepte dhe që e ka dhënë qeveria shqiptare është krijimi i klimës së favorshme për biznesin. Deklarata vjen nga kryeministri Berisha, gjatë konferencës së organizuar nga IFC pjesë e Bankës Botërore në lidhje me reformat për rritjen e konkurueshmërisë së biznesit në rajonin e Europës Juglindore. Shefi i qeverisë u ka bërë me dije investitorëve dhe ekspertëve rajonalë të ekonomisë politikat reformuese të ndërmarra në mbështetje të sipërmarrësve, të cilat sipas tij kanë rezultuar të suksesshme.
Berisha “Isha thellësisht i bindur se për vendet tona, me mundësi të kufizuara, stimuluesi më i mirë ishte të punonin për klimën e biznesit. Zgjerimi e lirisë së tregjeve, dhe konkurrencës në ekonomi mendoj se është politika e duhur. Ekonomia jonë u përball me pasojat e krizës, por ajo po rritet me 5.3 për qind. Investimet e huaja u rritën me 59 për qind dhe kreditimi i ekonomisë u rrit në rreth 50 për qind. Ne po implementojmë principin “heshtja është miratim”. Në muajt e ardhshëm do të miratohet një ligj mbi urbanistikën, i cili do të siguroj standarde të reja. Shqipëria është mbrapa me kohën e kërkuar për lejet e ndërtimit. Është 399 ditë; do të bëhet 45 ditë. Ligji ka kaluar në parlament dhe po pret të miratohet. Qëllimi ynë kryesor është të integrojmë vendin në Bashkimin Evropian, kjo është një detyrë e vështirë dhe kërkon reforma universale në të dyja anët: Sistemin demokratik dhe ekonominë e tregut.
Për përfaqësuesen e Bankës Botërore në Shqipëri kriza të tilla ekonomike, janë një mundësi e mirë për vendet e rajonit për të thelluar reformat në përmirësimin e klimës së biznesit. Ministri i ekonomisë Dritan Prifti, në fjalën e vet u ka bërë thirrje sipërmarrësve të huaj të investojnë në Shqipëri duke i garantuar ata për mbështetje maksimale nga ana e qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›