E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maroni: Në mesin e 2010 shqiptarët do të lëvizin pa viza

Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni deklaroi se hyrja e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, pritet të jetë e shpejtë pasi zgjerimi i Unionit rrit nivelin e sigurisë në Europë. Në një konferencë për shtyp me homologun Basha, ministri Maroni garantoi se në mbledhjen e ardhshme të Ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, Italia do të mbështesë kërkesën e Shqipërisë për liberalizimin e vizave. Ai shprehu bindjen se ky proces do të realizohet në mesin e vitit 2010.
"Kam garantuar impenjimin tim që Këshilli i Ministrave të Brendshëm europianë të vendosë për liberalizimin e vizave në mesin e vitit të ardhshem. I rëndësishëm është procesi i hyrjes në Bashkimin Europian, pasi Ballkani Perëndimor është pjesë e jona, ndaj zgjerimi i unionit rrit nivelin e sigurisë".
Ministri italian e vlerësoi Shqipërinë, si një partner shumë të rëndësishëm strategjik në terrenin e sigurisë, ndaj beson se bashkëpunimi do të jetë i dobishëm në termat e shkëmbimit të informacionit, të njerëzve dhe të të gjitha elementeve të tjerë.
Maroni "Për këtë motiv Italia mbeshtet sforcimet e qeverisë shqiptare për të realizuar kushtet për një hyrje të shpejtë në Bashkimin Europian, si dhe mbështesim kërkesën për liberalizimin e vizave".
Ndërsa ministri Basha, duke folur për arritjen e standarteve për heqjen e vizave, tha se puna e bërë nga qeveria shqiptare në luftën kundër trafikut dhe krimit i ka dhënë rezultate pozitive. Gjithashtu ai vlerësoi edhe ritmet e larta të pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike dhe sigurimin e kufirit. Plotësimi i standarteve teknike u vlerësua gjithashtu edhe nga Minsitri i Brendshëm italian.
Në këtë vizite të parë në Shqipëri, Ministri Maroni ka rikonfirmuar edhe njëherë se Italia është një ndër mbështetësit kryesorë të integrimit europian të vendit tonë.
Ministri i Brendëshëm i Italisë Roberto Maroni është pritur në takime të veçanta nga Kryeministri Sali Berisha dhe Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani.
Berisha dhe Maroni diskutuan çështje të bashkëpunimit dy palësh. Kryeministri i cilësoi marrëdhëniet me Italinë të një rëndësie të jashtëzakonshme.
Ai e njohu ministrin Maroni me masat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për të goditur krimin e organizuar. Berisha përmendi miratimin së shpejti të ndryshimeve në ligjin për masat kundër krimit të organizuar, që do të bëjnë të mundur goditjen dhe parandalimin e tij, me anë të masave shtrënguese dhe sekuestrimit të pasurive të vëna në mënyrë të jashtëligjshme. Nga ana e tij, Ministri i Brendshëm Italian vlerësoi nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit të fushën e sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar. Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, ministri Maroni shprehu besimin se Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së do t’i hapë rrugë liberalizimit të vizave në mesin e vitit të ardhshëm.
Në takimin me ministrin Nishani, ky i fundit garantoi bashkëpunimin e institucionit që drejton mbi çështje që lidhen me drejtësinë kjo si provë se Shqipeëia mbetet e angazhuar të ndërtojë shtetin ligjor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›