E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Kemi programin më të mirë në 32 vite që ka paraqitur PD

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se, gjatë kësaj fushate elektorale po ndihet ndryshimi dhe shpresa që kërkojnë shqiptarët.

Në një intervistë televizive, Berisha u shpreh se, programi që paraqet sot PD-ja është më i miri që kjo forcë politike ka paraqitur në 32 vite.

“Ka një interes për ndryshim, çka unë e konstatova, por nuk mund të merrte të gjithë domethënien, unë e konstatova në diasporë. Entuziazmi i jashtëzakonshëm në diasporë, më bëri shumë përshtypje dhe mendoja: a do të shfaqet ky entuziazëm i diasporës në Shqipëri? Në të vërtetë ky entuziazëm u shfaq”, tha Berisha.

Sipas tij, ky entuziazëm ka një shpresë. Ka një program nga më pëlqyeshmit, të cilin siç e keni konstatuar, kanë treguar skepticizëm a realizohet apo jo, por nuk e kanë kritikuar dot dhe nuk kanë nxjerrë asnjë element të tij të pavlefshëm apo utopik.

“Së pari, – vijoi ai, – ky program, që për mua është më i miri që ka paraqitur ndonjëherë në 32 vite PD para shqiptarëve, është një program që sintetizon eksperiencën më të mirë të qeverisjes së PD, por dhe të vendeve të tjera.”

“Unë gjithë jetën kam pasur programin si platformë, edhe kur kam qenë kryeministër, edhe kur kam qenë në opozitë. Pra unë jam njeri që kam ndjekur programin, ky jam unë.

Rama në tërësi nuk ka ndjekur programin, përveç vitit 2013. Në tërësi ka ideuar mënyra të tjera paraqitjesh para shqiptarëve. Kjo është e njohur, sepse nuk do të japë llogari për ato që nuk ka bërë apo ato që ka bërë keq dhe të mos premtojë asgjë sepse nuk ka realizuar premtimet.

Kjo është një mënyrë fushate, ka disa mënyra. Ka fushatë që bëhet fund e krye negative. Fushata me negativet ka pasur në vitet 2005, 2007, 2009. Tani ka zgjedhur banalitetin dhe parodinë, e mendon se duke krijuar të qeshura e humor banal e bajat, zhvlerëson në hapësirën e komunikatave programet. Por ai nuk është se nuk e vuajtur këtë, sepse herë pas here është detyruar t’u referohet. Fillimisht kopjoi pikë për pikë minimumin jetik dhe pastaj i kaloi në vitin 2030.

Ai e kupton që është pa program, që mund ti kushtojë dhe këtu tregon pasigurinë e tij. Në momentin që ti kopjon programin e kundërshtarit ti ke kapitulluar në rrafshin programatik.

Tani së fundi, fushata e tij ka pasur një thes me rrena në shpinë dhe shkon e u thotë vlonjatëve që kam investuar 1 miliard e 230 milionë”, tha Berisha.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›