Berisha: Kërkojmë një mandat të tretë qeverisës, për projektet e 4 viteve, me kredencialet e premtimeve të mbajtura
Kreu i qeverisë Sali Berisha tha dje se Partia Demokratike do trokasë në çdo derë me ballin lart sepse pavarësisht vështirësive, ajo i ka mbajtur premtimet. PD nuk do i kërkojë votat për ato që ka bërë, por për ato që do të bëjë gjatë katër viteve të ardhshme të mandatit të tretë qeverisës, mandat i cili kompleton projektin e madh të Shqipërisë vend i zhvilluar dhe Shqipërisë Evropiane
Kryeministri Sali Berisha u ndal dje, gjatë takimit me të rinjtë dhe të rejat anëtarë të Partisë Demokratike të Sukthit, në afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës. Për shefin e ekzekutivit, PD ecën e sigurt drejt një mandati të tretë qeverisës, pasi ka mbajtur premtimet. “Ne po ecim drejt zgjedhjeve, drejt mandatit të tretë. Ju, të gjithë anëtaret dhe anëtarët më të rinj të Partisë Demokratike, por edhe të gjithë anëtarët e tjerë të PD-së, mbështetësit tanë, paraqituni në çdo derë, trokisni në çdo zemër me ballin lart, sepse ne, pavarësisht nga vështirësitë, të metat apo gabimet që kemi bërë dhe që nuk përjashtohen të bëhen, kemi mbajtur fjalën dhe premtimet tona”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, ndryshimi është i prekshëm nga gjithë shqiptarët.
“Një Shqipëri, e cila vizitohej pak vite më parë vetëm nga 300 mijë turistë vizitohet sot nga mbi 4 milionë. Një Shqipëri, e cila kishte një arsim në rrënim, ka sot një sistem arsimor me integritet të lartë, një sistem që shndërron dhe bën të vërteta ëndrrat më të bukura rinore të edukimit në universitet dhe shkolla të tjera. Një Shqipëri, qytetarët e së cilës sot lëvizin të lirë në mbarë Evropën. Një Shqipëri, e cila ende nuk ka arritur të jetë një vend plotësisht i zhvilluar, por ka arritur të ketë treguesit themelorë të njeriut të barabartë me vendet e zhvilluara. Një Shqipëri që ka vdekshmërinë foshnjore, vdekshmërinë e nënave, vdekshmërinë në përgjithësi të popullatës, në nivelin e vendeve më të zhvilluara. Një Shqipëri që ka treguesit e ndjekjes së arsimit të lartë dhe arsimit të mesëm në nivelin e vendeve më të zhvilluara. Një Shqipëri, e cila ndërton një infrastrukturë dhe ka investuar këto vite më shumë se gjithë rajoni përreth, të marra së bashku, në rrugë, ujësjellës, kanalizime. Një Shqipëri, e cila ka një ekonomi, e vetmja në rajon dhe nga më të paktat në Evropë, që nuk ra në krizë, por ruajti rritjen ekonomike dhe me zhvillimin e saj bëri të mundur mbi dyfishimin e rrogave, bëri të mundur mbi dyfishimin e pensioneve të ulëta, bëri të mundur asfaltimin e mbi 10 mijë kilometra rrugë, bëri të mundur ndërtimin dhe rindërtimin e mbi 1300 shkollave në mbarë vendin, bëri të mundur rritjen e madhe të ndihmës ekonomike për ata që janë në nevojë, bëri të mundur financimin e mbi 40 mijë hektarë tokë, ullishte, vreshta, sera dhe dru të tjerë frutorë, bëri të mundur dyfishimin e eksporteve nga viti 2009 në vitin 2011, bëri të mundur që të shndërrohemi në një nga vendet me tërheqëse për investimet e huaja. Për të gjitha këto ne trokasim me ballë hapur në zemrën e çdo shqiptari”, tha Berisha.
Ai theksoi se Partia Demokratike nuk i kërkon votat për ato që ka bërë, por për ato që do të bëjë në katër vitet e ardhshme në qeverisjen e vendit, gjatë mandatit të tretë.
“Natyrisht, ne nuk kërkojmë votat për ato që kemi bërë. Jo! Ne i kërkojmë votat për ato që do të bëjmë në katër vitet që vijnë, por këto që kemi bërë janë pasaporta e besimit ndaj nesh, janë pasaporta e ndershmërisë dhe sinqeritetit, e fjalëve të mbajtura që ne u kemi dhënë shqiptarëve. Në katër vitet e tjera është në detyrën tonë të bëjmë katër herë më shumë. Katër vitet që vijnë Shqipërinë ta shndërrojmë tërësisht. Ky është projekti juaj dhe i mbarë shqiptarëve”, deklaroi kryeministri, duke ftuar të rinjtë dhe të rejat, anëtarët e Partisë Demokratike t’i bashkohen platformës që do qeverisë vendin në mandatin e tretë radhazi.