Berisha: Këtë vit nis autostradën me tunel Elbasan-Tiranë
ELBASAN- Kryeministri Sali Berisha, ka deklaruar sot në qytetin e Elbasanit se “këtë vit do të nis ndërtimi i rrugës me tunel Elbasan- Tiranë”. Nga qyteti i Elbasanit, i pranishëm në inagurimin e shkollës së re 9-vjeçare “Qamil Guranjaku”, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha bëri të ditur se "projekti për autostradën Tiranë- Elbasan ka përfunduar". “Informoj se qeveria gjatë këtij viti nis ndërtimin e kësaj rruge”, tha kryeministri duke shtuar se “ky projekt jo vetëm shkurton me tunelin e tij në mënyrë të ndjeshme distancën Elbasan –Tiranë, por shkurton ndjeshëm edhe distancën Korçë -Tiranë, Berat - Tiranë dheTepelenë - Tiranë” Kryeministri Berisha nënvizoi se “autostrada Tiranë -Elbasan, do të jetë pas rrugës së Arbrit, një nga projektet më madhore të qeverisë gjatë këtyre katër viteve". Kryeministri Berisha shtoi se “jemi të vendosur që Shqipëria e vitit 2013 të jetë një Shqipëri krejt tjetër ku shqiptarët të lëvizin në të katër anët të vendit në një kohë më të shkurtër për të kapur kryeqytetin e tyre”. (d.b/BalkanWeb)