Berisha-Klinton:Ligji i dosjeve, jo presion politik

Kryeministri Sali Berisha u takua sot në Departamentin e Shtetit nga Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton. Çështja e ligjit të lustrimit u ngrit në takim, Sekretarja Clinton pyeti për të dhe Berisha e siguroi atë se nuk do të ketë një gjueti shtrigash, por do të ndiqen të gjitha proceset kushtetuese dhe qeveria nuk do të ndërhyjë në këtë proces. "Së pari, ligji i lustracionit nuk mund të përdoret dhe nuk do të përdoret për gjueti shtrigash për të përkundër kundërshtarëve politikë. Së dyti, çdo gjë do të zhvillohet sipas rregullave të shtetit ligjor. Këto ishin sigurimet e mia që i dhashë Sekretares në një mirëkuptim të plotë dhe se asnjë lloj zgjidhje përveç zgjidhjeve ligjore nuk mund të imagjinohet në këtë rast. Çdo qytetar, i cili preket nga ky ligj, ka të drejtën e tre shkallëve të sistemit gjyqësor, sikundër edhe të shkojë më Strasburg", u shpreh Berisha. Kryeministri i ka premtuar Sekretares amerikane të shtetit edhe shtimin e trupave shqiptare në Afganistan. "Një temë shumë e rëndësishme që diskutova me Sekretaren ishte Afganistani. I shpreha gatishmërinë që Shqipëria të çojë edhe një kompani shtesë. Presidenti Obama dhe administrata e tij janë të përqendruar në Afganistan. Shqipëria ka atje 225 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë dhe është e gatshme të shkojë në 350", vazhdoi kryeministri. Gjatë takimit, Berisha njohu Clinton me problemin e energjisë. "E njoha Sekretaren Clinton me situatën e energjisë dhe të gazsjellësve në rajon, domosdoshmërinë e diversifikimit të këtyre burimeve të furnizimit. Sekretarja tregoi një interes të veçantë për këtë çështje dhe e lamë që të ketë së shpejti takime të mëtejshme mbi të gjitha teknikalitetet e tyre"vazhdoi Berisha. Kryeministri ka siguruar mbylljen e Guantanamos Berisha u shpreh "Edhe një vit më parë, ne kemi qenë për mbylljen e atij burgu, i cili u shndërrua në një simbol të asaj që SHBA-të nuk janë. Kontributi që ne dhamë ishte modest, por jemi shumë të kënaqur që e dhamë dhe e përshëndesim vendimin e Presidentit Obama për mbylljen në afatin e duhur të këtij burgu. Absolutisht, ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe mund të them se kjo mbyllje është një gjë shumë e mirë". Kryeministri e konsideroi takimin si një takim i shkëlqyer me një mirëkuptim të plotë.