Berisha: Koalicioni me LSI, më i fuqishmi në histori

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen se Kryesisë së Partisë Demokratike, kryeministri Berisha i kushtoi vëmendje zgjedhjeve të 23 qershorit, duke shprehur bindjen se procesi elektoral do të jetë i lirë dhe i ndershëm. Kreu i PD-së deklaroi se qëllimi i kësaj mbledhjeje është hapja e përpjekjes së anëtarëve, simpatizantë dhe drejtuesve të fushatës elektorale për mandatin e tretë të demokratëve. Ndërsa akuzoi opozitën për bllokimin e punës së KQZ-së, Berisha theksoi se pavarësisht përpjekjeve për bllokim zgjedhjet do të përgatiten me seriozitetin më të madh.
“Ne shkojmë të sigurt drejt një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Disa shenja paraprake nuk janë kaq premtuese përsa i përket kundërshtarit. Ka një panik që shprehet nga kthimi i filxhanit çdo mëngjes te kafja e Shefikatit, deri tek bllokimi i KQZ-së. Pavarësisht nga emotiviteti, nga raporti përmbysës i adrenalinës tek kundërshtari ynë, zgjedhjet do jetë një proces i lirë dhe i ndershëm” u shpreh Berisha, raporton bw.
Ndërsa vlerësoi koalicionin qeverisës, si më të fuqishmin në historinë e vendit, kryeministri Berisha ironizoi ftesën e kryetarit të PS-së për bashkim me LSI-në e FRD-në. Sipas kryeministrit, nuk ekziston mundësia e një koalicioni mes PS-së e LSI-së, ndërsa aludoi se Fryma e Re Demokratike është aleati i vetëm që u ka mbetur socialistëve.
“Ne shkojmë drejt zgjedhjeve si koalicioni më i fuqishëm në historinë e vendit. Ne zgjedhjet e 2009-ës PD dhe aleatët e saj dolën koalicioni i parë. Krijoi një koalicion me LSI dhe unë mendoj se ky koalicion ka funksionuar në përputhje të plotë me zotimet dhe angazhimet përpara qytetarëve shqiptarë. Ky koalicion bëri të mundur një seri reformash të thella, të cilat mbrojtën ekonominë shqiptare nga recesioni. Rama i bën thirrje këtij sot këtij dhe atij, aman bashkohemi se mund të fitojmë. Sot i bën thirrje dhe duket i vetmi aleat që i ka mbetur me çfarë shoh unë është Bamir Topi. Ajo fjala që i tha mos u hiq si i virgjër, nuk do të thotë se kanë fjetur bashkë, do të thotë se kanë rënë në një çanak. Por le t’i lemë në virgjinitetin dhe çvirgjinitetin e tyre dhe ecim pas çdo vote në çdo skaj të këtij vendi” u shpreh Berisha./Indeksonline/