Musliu: Nuk do zhvendoset lapidari i UÇPMB-së

Përfaqësuesit politik e institucional të Luginës së Preshevës kanë mbrojtur qëndrimin e tyre për mos zhvendosjen e lapidarit të UÇPMB-së, i cili është e vendosur pranë ndërtesës së komunës së Preshevës.
Edhe në takimin e mbajtur në zyrat e OSBE-së në Bujanoc, në mes të përfaqësuesve politik e institucional të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe zyrtarëve të Beogradit, i cili zgjati më se 4 orë, nga ana e shqiptarëve u mbrojt vendimi se nuk do të bëhet zhvendosja e pllakës përkujtimore.
Jonuz Musliu, kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik në Bujanoc tha se, “ne edhe në takim mbrojtëm qëndrimin tonë për ruajtjen dhe mbrojtjen e pllakës përkujtimore në Preshevë. Nuk do të zhvendosim lapidarin e UÇPMB-së në ndonjë vend tjetër edhe pse kjo ishte njëra nga kërkesat e palës serbe”, raporton ina.
Takimi i sotëm i cili ishte mbajtur me dyer të mbyllura ishte zhvilluar me ndërmjetësuesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Bujanoc./Indeksonline/